
Hoti: Ka humbë Kosova që nuk e ka zbatu 'Marrëveshjen e Washingtonit'

Deputeti Avdullah Hoti tha se Kosova ka humbur shumë për shkak të moszbatimit të Marrëveshjes së Uashingtonit gjatë katër viteve të fundit, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Hoti tha se ky dokument, i nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, është me rëndësi strategjike për Shtetet e Bashkuara dhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Nuk besoj që është humbë si rast. Ka humbë Kosova që nuk e ka zbatu gjatë këtyre katër viteve dhe pse kanë qenë zotimet e kësaj administrate. E respektojnë atë marrëveshje sepse është në interesin më të mirë strategjik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për qasjen e tyre ndaj Ballkanit Perëndimor,” tha Hoti.
Ai tha se qeveria e ardhshme duhet ta marrë seriozisht këtë marrëveshje për të shmangur humbje të mëtejshme për vendin.
Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, u nënshkrua më 4 shtator të vitit 2020 në Shtëpinë e Bardhë, në praninë e presidentit të atëhershëm amerikan Donald Trump.
Dy versione të dokumenteve për palën e Kosovës dhe atë të Serbisë, i kanë nënshkruar kryeministri i atëhershëm i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti aktual i Serbisë Aleksandar Vuçiq.
Zyrtarët amerikanë e vlerësuan marrëveshjen e Uashingtonit si një fillim të ri për Ballkanin Perëndimor.
Kjo marrëveshje u zbatua vetëm pjesërisht.
Në dokumentin e marrëveshjes parashiheshin edhe disa projekte infrastrukturore, përfshirë atë që quhet “Autostrada e Paqes”, Beograd-Prishtinë, si dhe përmendet edhe çështja e Liqenit të Ujmanit, që gjendet në territorin e Kosovës dhe prekë atë të Serbisë.
Si rrjedhojë e kësaj marrëveshjeje Izraeli dhe Kosova shkëmbyen njohje të ndërsjellë, kështu që më 14 mars 2021, Kosova e hapi ambasadën e saj në Jerusalem.
(Kosova Sot Online)