Prokuroria shpalos detaje se si ndodhi kidnapimi në Pejë
Ditën e martë në Pejë u raportua për një rrëmbim, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Lidhur me këtë, janë arrestuar dy persona, njëri nga komuna e Podujevës e tjetri nga komuna e Ferizajt.
Sipas zëdhënësit të Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, ishte shoku i viktimës ai që e raportoi kidnapimin, e ku më pas policia ka arrestuar dy të dyshuarit në Podujevë.
Sipas Nikçit, rrëmbimi dyshohet të ketë ardhur për shkak të një borxhi.
“Një person nga Podujeva dhe një nga komuna e Ferizajt kanë ardhur në Pejë, ku sipas dyshimeve tona bëhet fjalë për një borxh, ku dhe e kanë rrëmbyer një person nga Peja, me ç’rast e kanë dërguar në komunën e Podujevës. Menjëherë është raportuar rasti në Policinë e Kosovës, ku më pas është kontaktuar Prokurori i Krimeve të Rënda, ku me koordinim të plotë me Policinë e Kosovës dhe pas një pune intensive janë lokalizuar personat e dyshuar. Të njëjtit janë arrestuar nga policia, dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar për 48 orë, gjithashtu është parashtruar kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit. Për të njëjtit janë kapur prova për të cilat do të dëshmohen që të njëjtit janë fajtor. Raportimi ka ardhur nga një shok i viktimës”, tha Nikçi.
(Kosova Sot Online)