Koser: Kosova shembull që duhet ndjekur nga shtetet tjera

  • A.P /
  • 19 December 2024 - 12:52
Koser: Kosova shembull që duhet ndjekur nga shtetet tjera

Kosova e vitit 1999 dhe kthimi i thuajse të gjithë refugjatëve me të përfunduar lufta, ishte shembulli i mirë që e mori profesori Khalid Koser, që është drejtor ekzekutiv i Global Community Engagement and Resilience Fund, në ligjëratën që mbajti para studentëve të Fakultetit Filozofik në Prishtinë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ai tha se qëllimi i universiteteve është dialogu i hapur e i sinqertë për çështje komplekse me grupe të ndryshme shoqërore.

Koser që ligjëron për konflikt, paqe e siguri në Universitetin e Mastrihtit në Holandë, tregoi pikëpamjet e tij se si duhet të krijohen shoqëri më të sigurta nga ekstremizmi i dhunshëm dhe terrorizmi.

Sipas tij, nuk mund të jesh terrorist as kriminel, vetëm pse je i varfër.

“Çështjet janë më komplekse. Nuk mund të jesh terrorist as kriminel, vetëm pse je i varfër. Kosova është shembull që duhet ndjekur nga shtetet tjera për riintegrimin e personave që u përfshinë nëpër luftëra të huaja dhe organizata terroriste. Kosova ia doli edhe në vitin 1999, kur menjëherë pas luftës arritën të kthehen thuajse të gjithë refugjatët”, citon njoftimi i UP-së fjalët e profesorit Koser në këtë ligjeratë para studentëve.

Kjo ligjëratë, përveç studentëve e profesorëve të UP-së u ndoq edhe nga përfaqësues të MPB-së e organizatës Community Development Fund.

(Kosova Sot Online)