Në Serbi: Vendin e parë e zë Bërnabiq e të dytin Vuçiq për 'Gënjeshtrat e vitit'

  • A.P /
  • 19 December 2024 - 13:57
Në Serbi: Vendin e parë e zë Bërnabiq e të dytin Vuçiq për 'Gënjeshtrat e vitit'

Media serbe që kontrollon faktet në rajonin e Ballkanit Perëndimor Istinomer, ka realuzar edhe këtë vit një sondazh ku përzgjidhet 'Gënjeshtra e Vitit' në Serbi, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Si mostër merren deklaratat e politikanëve atje, raporton N1.

Në sondazhin që tradicionalisht Istinomer organizon në fund të çdo viti, lexuesit zgjodhën deklaratën e ish-kryeministres së Serbisë dhe kryetares aktuale të Kuvendit Kombëtar të Serbisë, Ana Brnabiq, si “Gënjeshtra e vitit 2024”: Projektit Jadar i është dhënë fundi absolut”.

Kjo deklaratë i referohet projektit të minierës së litiumit në luginën e Jadrës, i cili ka shkaktuar protesta dhe kundërshtime të publikut për shkak të pasojave të mundshme mjedisore. Kur Qeveria e Serbisë anuloi rregulloren për planin hapësinor të zonës për qëllime të posaçme Jadar, Ana Brnabić pohoi se kjo lëvizje “absolutisht i dha fund asaj” dhe se “ky është fundi i gjithçkaje në lidhje me projektin Jadar dhe Rio Tinta”.

Mirëpo, më vonë, me shpjegimin se “asnjëherë nuk ka pretenduar se ky projekt është i keq për Serbinë”, ajo ka deklaruar se projekti i vitit 2022 në fakt është vënë në “pauzë”.

“Pikërisht për shkak të këtij shpjegimi kontradiktor dhe mospërputhjes në daljet publike, ne e vlerësuam këtë deklaratë si të pavërtetë”, thekson Istinomer.

Vendin e dytë në sondazhin e sivjetmë, në të cilin, siç shton Istinomer, në mesin e opsioneve të ofruara dominonin deklaratat e Ana Brnabiqit, e zuri deklarata e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq: “Serbia është një nga vendet më të sigurta në botë dhe në Evropë”.

Në vend të tretë ishte deklarata e ministrit të Financave Sinisha Mali: “Zgjedhjet ishin të pastra si loti”.

Gjatë vitit 2024, Istinomer ka kontrolluar gjithsej 55 deklarata të politikanëve dhe zyrtarëve publikë në kategoritë e vërtetësisë, qëndrueshmërisë, premtimeve dhe keqpërdorimit të fakteve.

“Vlerësimet negative ishin dominuese, gjë që tregon praninë e teknikave manipuluese në diskursin publik”, shton Istinomer.

Nga numri i përgjithshëm i pohimeve të analizuara, vetëm dy janë vlerësuar si të vërteta, ndërsa tre kanë marrë vlerësimin “këmbë të shkurtra”, dhe 22 janë vlerësuar si të rreme. Gjithashtu, një deklaratë është vlerësuar si jokonsistente, pesë si keqpërdorim të fakteve dhe dy si të paverifikueshme.

Që nga viti 2016, Istinomer organizon konkursin Gënjeshtra e Vitit.

“Deri në këtë vit, Aleksandar Vuçiq fitoi vendet e para”.

Zgjedhjet për “Gënjeshtrën e Dekadës”, që Istinomer organizoi në vitin 2019, u anuluan për shkak të sulmit në sajt dhe hakerimit të sondazhit.

“Në vitin 2025, ekipi i Istinomer do të vazhdojë të kontrollojë se sa përfaqësues të qeverisë dhe politikanë po na gënjejnë dhe sa po thonë të vërtetën, sa konsistent janë dhe nëse dhe në çfarë mase po i përmbushin premtimet e dhëna qytetarëve”.

(Kosova Sot Online)