Osmani: Shqipëria dhe Kosova janë dy pjesë të pandashme të një kombi të madh

  • A.P /
  • 20 December 2024 - 12:04
Osmani: Shqipëria dhe Kosova janë dy pjesë të pandashme të një kombi të madh

Presidentja Vjosa Osmani në fjalën e saj gjatë seancës së përbashkët të dy kuvendeve Kosovë-Shqipëri ka thënë se të dyja vendet duhet të ndërtojnë bashkëpunim më të madh dhe koordinim më të shpeshtë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ajo shtoi se secili duhet ta luajë rolin e tij në arritjen e këtij qëllimi.

“Secili prej nesh duhet ta luajë rolin e tij në avancimin e vizionit të shteteve dhe të qytetarëve tonë brenda familjes së kombeve europiane. Lidhja e thellë është e rrënjosur në histori, në sakrificat e panumërta dhe në një vizion të përbashkët për të ardhmen. Kjo lidhje nuk është thjesht simbolike, është një themel i pathyeshëm mbi të cilin duhet të ndërtojmë bashkëpunim më të madh e koordinim më të shpeshtë.

“Shqipëria dhe Kosova nuk janë vetëm dy shtete të pavarura, por janë dy pjesë të pandashme të një kombi të madh, të bashkuar nga një histori e lavdishme dhe një e ardhme e ndritur që po ndërtohet dita-ditës”.

Osmani shtoi se parlamentet kanë një rol vendimtar në avancimin e raporteve dypalëshe.

Po ashtu, presidentja ka uruar Shqipërinë për suksesin e saj në negociatat me BE-në, ndërsa tha se edhe Kosova “si përherë mbetet me përkushtim të palëkundur për anëtarësim në BE”.

“Nuk është qëllim politik, por pasqyrim i asaj se çfarë përfaqësojmë”.


(Kosova Sot Online)