Osmani: T’i rikujtojmë vlerat tona, të cilat i shëmbëllen aq mirë e aq thellë Gonxhja jonë

  • A.P /
  • 25 December 2024 - 07:48
Osmani: T’i rikujtojmë vlerat tona, të cilat i shëmbëllen aq mirë e aq thellë Gonxhja jonë

Presidentja Vjosa Osmani mori pjesë në pritjen solemne me rastin e Festës së Krishtlindjes, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Në fjalën e saj para të pranishmëve, teksa uroi të gjithë besimtarët e krishterë për Krishtlindje, e para e shtetit kujtoi, siç tha ajo, karakterin e vërtetë të Krishtlindjes, vuajtjet e Krishtit për njerëzimin, flijimin e ringjalljen e tij, të rikujtojmë edhe shembullin tonë të mirësisë, atë të Nënës Terezë.

“T’i rikujtojmë vlerat tona, të cilat i shëmbëllen aq mirë e aq thellë Gonxhja jonë, Shën Tereza! Ajo u flijua për njerëzimin, për më të varfrit e më të varfërve dhe nga vuajtjet e tyre krijoi shëmbëlltyrën e ringjalljes së shpresës, të dashurisë për njerëzimin e të ndihmës së pakursyer për të”.

“Ne sot, sipas shembullit të saj, jo vetëm urojmë njëri-tjetrin për Krishtlindje, por reflektojmë thellësisht mbi atë që e bën këtë festë kaq të veçantë. Përtej dritave vezulluese që e simbolizojnë shpresën, reflektojmë për bujarinë dhe bashkimin tonë”, u shpreh Osmani.

Ajo tha se Krishtlindja është frymëzim që na kujton të gjithëve se përballë sfidave duhet të triumfojë shpresa.

“Ajo na kujton se duhet t’i vlerësojmë njerëzit në jetën tonë, t’ia shprehim mirënjohjen tonë familjes që na do pa kursim, miqve që na qëndrojnë pranë dhe bashkëkombësve, me të cilët na lidh gjaku, gjuha e shpresa”.

“Magjia e Krishtlindjes na bën që sonte të kthejmë vëmendjen ndaj atyre që na qëndrojnë afër edhe ndaj atyre që janë larg me shërbim. Mbi të gjitha, ndaj atyre që sot kanë më shumë nevojë për kujdesin tonë”.

“Prandaj, sipas shembullit të Gonxhes sonë, të kujdesemi fort sonte e në gjithë motin që vjen për ata që presin ndihmën tonë e që kanë nevojë për kujdesin tonë”, deklaroi presidentja Vjosa Osmani, teksa u shpreh se “Krishtlindja është moment për të treguar mirësi e kujdes ndaj tyre, duke u dhuruar buzëqeshje të ngrohtë, një gjest dashurie, le ta ndriçojmë botën e tyre”.

Ajo kujtoi thënien, “Është më i bekuar ai që jep dhurata sesa ai që i pranon ato. Dhënia, në fund të fundit, e shpërndan gëzimin e Krishtlindjes shumë e gjerë”.

Krishtlindja, u shpreh presidentja, “na kujton se drita e gjen gjithmonë rrugën karshi errësirës dhe se dashuria ka fuqinë t’i transformojë edhe zemrat më të ngurta. Pra, ndërsa festojmë, le ta përqafojmë kuptimin e vërtetë të Krishtlindjes”.

Ajo pati një mesazh në fund: “Le të qeshim, të festojmë e të krijojmë kujtime që do të zgjasin një jetë të tërë! Le t’i kujtojmë ata që nuk mund të jenë me ne dhe t’i mbajmë afër në zemrat tona! Le t’i kujtojmë po ashtu, siç e thashë, edhe ata që kanë më së shumti nevojë dhe më e rëndësishmja, le ta mbajmë me vete frymën e Krishtlindjes shumë kohë, edhe pasi dekorimet të jenë larguar”.

(Kosova Sot Online)