'Administrata Biden propozon marrëveshje armësh prej 8 miliardë dollarësh me Izraelin'

  • A.P /
  • 04 January 2025 - 16:03
'Administrata Biden propozon marrëveshje armësh prej 8 miliardë dollarësh me Izraelin'

Departamenti amerikan i Shtetit ka njoftuar “joformalisht” Kongresin për një marrëveshje armësh të propozuar prej 8 miliardë dollarësh me Izraelin, duke përfshirë municione për avionë luftarakë, helikopterë sulmues dhe predha artilerie, sipas një raportimi në median amerikane, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Departamenti i Shtetit e ka prezantuar marrëveshjen si një masë për të “mbështetur sigurinë afatgjatë të Izraelit duke rifurnizuar stoqet e municioneve kritike dhe aftësitë e mbrojtjes ajrore”, raportoi “Axios”, duke cituar një burim të njohur me këtë çështje.

“Presidenti e ka bërë të qartë se Izraeli ka të drejtë të mbrojë qytetarët e tij, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtën ndërkombëtare humanitare, dhe për të penguar agresionin nga Irani dhe organizatat e tij të deleguara. Ne do të vazhdojmë të ofrojmë aftësitë e nevojshme për mbrojtjen e Izraelit”, citohet të ketë thënë një zyrtar amerikan.

Lajmi vjen ndërsa presidenti Joe Biden po i afrohet ditëve të fundit të mandatit të tij përpara inaugurimit të Donald Trumpit më 20 janar.

Shitja e propozuar e armëve, në pritje të miratimit të Kongresit, përfshin raketa ajër-ajër AIM-120C-8 AMRAAM për avionë luftarakë, predha artilerie 155 mm, bomba me diametër të vogël, koka 500 paund, siguresa bombash dhe pajisje të tjera të ngjashme, thuhet në lajm.

Raportohet se në shitje do të përfshihen edhe municione të dorëzuara nga rezervat aktuale të SHBA-së, ndërsa për shumicën do të duhen një ose më shumë vjet për t’u prodhuar dhe dorëzuar. 

(Kosova Sot Online)