Shpallet gjendje e jashtëzakonshme në shumë shtete të ShBA-së
Më shumë se 60 milionë amerikanë janë nën kontrollin e një stuhie të madhe dimërore që mund të sjellë reshjet më të mëdha të borës dhe temperaturat më të ftohta në më shumë se një dekadë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Gjendje e jashtëzakonshme është shpallur deri më tani në shtatë shtete, në Kansas, një nga zonat më të goditura, Misuri, Kentaki, Virxhinia, Virxhinia Perëndimore, Arkansas dhe pjesë të Nju Xhersit.
Parashikuesit thonë se moti ekstrem po shkaktohet nga një vorbull polar – një zonë me ajër të ftohtë që qarkullon rreth Arktikut – duke sjellë mot të ftohtë në pjesë qendrore të SHBA-ve.
Mijëra fluturime tashmë janë vonuar ose anuluar, me shumë rrugë të ndërprera dhe shkolla të mbyllura si pasojë e stuhisë.
Moti pritet të fillojë të qetësohet të hënën.
(Kosova Sot Online)