Zgjedhjet e 9 shkurtit, ja çfarë duhet të dini

  • A.P /
  • 06 January 2025 - 14:55
Zgjedhjet e 9 shkurtit, ja çfarë duhet të dini

Të hënën, subjektet politike në Kosovë janë pajisur me numra, me të cilët do të garojnë në zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit, pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka organizuar hedhjen e shortit për renditjen në fletëvotime, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Numrat e subjekteve politike në fletëvotime janë nga 111 deri në 138.

Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1.280 kandidatë.

Në fletëvotim, qytetarët do të mund të zgjedhin një subjekt politik dhe deri në dhjetë kandidatë për deputetë. Ky është një ndryshim pas miratimit të Ligjit të ri për zgjedhjet. Në të kaluarën, qytetarët kanë pasur mundësinë të zgjedhin deri në pesë kandidatë.

Secila parti e certifikuar mund të ketë deri në 110 kandidatë në listën zgjedhore.

Nga këto lista do të zgjidhet përbërja e re e Kuvendit me 120 ulëse dhe deputetët më pas zgjedhin Qeverinë e re. Qeveria aktuale në Kosovë udhëhiqet nga Albin Kurti, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje.

Këto janë përgatitjet e fundit të KQZ-së për zgjedhjet, teksa fushata zgjedhore do të nisë të shtunën, më 11 janar dhe për një muaj, partitë dhe kandidatët do të tentojnë t’i bindin votuesit që t’i zgjedhin ata.

Për dallim nga zgjedhjet e kaluara, kur heshtja zgjedhore fillonte një ditë para votimeve, me ndryshimet ligjore të këtij viti, ajo tashmë do të fillojë një minutë para hapjes së qendrave të votimit – në orën 07:00 – dhe do të zgjasë deri në mbylljen e tyre, në orën 19:00 të 9 shkurtit. Pra, heshtja zgjedhore do të zgjasë vetëm gjatë 12 orëve të votimit.

Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë më 2008. Deri më tani, në vend janë mbajtur një sërë zgjedhjesh të parakohshme.

Sa është numri i votuesve?

Pas përfundimit të regjistrimit të votuesve jashtë vendit, KQZ-ja bëri të ditur se numri i votuesve për zgjedhjet e 9 shkurtit do të jetë 2 milionë e 75 mijë e 868 votues brenda dhe jashtë Kosovës.

Votuesit jashtë vendit, përveç votimit me postë, për herë të parë do të mund të votojnë në 17 ambasada dhe 15 konsullata në 19 shtete të ndryshme të botës.

Votimi me postë nga jashtë vendit nis më 9 janar. Sipas KQZ-së, për votim jashtë vendit janë regjistruar 104.924. Nga ta, 20.399 janë regjistruar për votim fizik në ndonjë nga përfaqësitë diplomatike, të tjerët për votim me postë.

Sikurse herëve të kaluara, edhe kësaj radhe pritet që të dihet shpejt renditja e partive në zgjedhje dhe qytetarët në kohë reale do të mund të shohin në ueb-faqen e KQZ-së rezultatet preliminare.

Kjo pasi, nga të gjitha vendvotimet KQZ-së i dërgohen në mënyrë elektronike votat për partitë dhe kandidatët dhe më pas ato ngarkohen në sistem.

Megjithatë, në këto rezultate nuk përfshihen votat me kusht, votat nga jashtë dhe votat e votuesve me nevoja të veçanta, të cilat numërohen më vonë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).


(Kosova Sot Online)