
Vjen paralajmërimi, mot aspak i zakontë për janar

Meteorologu Mendim Rugova ka paralajmëruar javë me mot “të butë” dhe “pa ngrica” e me temperatura “perfekte”, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Ai tha se temperaturat mund të arrijnë në 12 deri në 14 gradë celsius, e diku edhe deri në 15.
“Kjo po ndodh kryesisht për shkak të këtyre erërave më të ngrohta jugore që po fryejnë”, shpjegoi ai.
Mendim Rugova tha se këtë javë gjithashtu “ka një qarkullim të mirë ajror” dhe “gjasat për mjegull munden me qenë pak më të ulëta”.
“Ka me pasë herë vranësira, herë intervale me diell”, paralajmëroi ai, duke treguar se në fundjavë këto temperatura do të rrëzohen dhe do të ketë reshje shiu e bore.
“Të premtën orëve të mbrëmjes po duket mundësia që prapë me pasë të reshura, fillimisht të shiut, e mandej me kalimin në ditën e shtunë, me siguri depërton ndonjë sistem frontal me masa më të ftohta ajrore dhe i rrëzon temperaturat gjatë fundjavës, eventualisht ndoshta deri në 0 gradë celsius maksimalimet, minimalet zbresin deri -1 e -3 gradë celsius. Ka gjasa mandej me pasë sërish reshje të borës të shtunën, të cilat vazhdojnë edhe ditën e diel dhe ditën e hënë”, tha Mendim Rugova.
(Kosova Sot Online)