Ja si ia prishi planet kryetari i Vitisë Arbërie Nagavcit

  • A.P /
  • 09 January 2025 - 15:20
Ja si ia prishi planet kryetari i Vitisë Arbërie Nagavcit

Ministres së Arsimit Arbërie Nagavci dje i dështoi përpjekja për fushatë. Ajo në agjendën për ditën e mërkurë kishe përurimin e një shkollë dhe një çerdheje në Viti, mirëpo një gjë e tillë s’u bë për shkak se në këto dy objekte akoma nuk kanë përfunduar punimet. Zv/ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, dhe kryetari i Vitisë, Sokol Haliti, u deklaruan për këtë çështje, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Një shkollë në Pozheran e një çerdhe publike në Drobesh të Vitisë ishin planifikuar të përuroheshin dje nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci. Një gjë e tillë nuk u realizua.

Kryetari i Vitisë, Sokol Haliti, në një komunikatë për media tha se arsyeja që s’janë përuruar është që në këto dy objekte kanë qenë duke u zhvilluar ende punime. Ai ka shtuar se për këtë e ka njoftuar MASHTI’n dhe janë pajtuar që përurimi të bëhet pas përfundimit të punimeve.

“Me këtë rast, unë si kryetar i komunës, i shoqëruar nga inxhinierët komunalë, kam vizituar këto objekte dhe nga inxhinierët është konstatuar se akoma ishin duke u zhvilluar punime. Më pas, si kryetar i komunës së Vitisë, unë kam njoftuar Ministrinë e Arsimit rreth punimeve të papërfunduara, dhe ata janë pajtuar që përurimi i këtyre objekteve të bëhet pasi të përfundojnë punimet”, ka thënë Haliti.

Haliti, ka thënë se me ardhjen e Qeverisë Kurti është stagnuar puna në këtë shkollë.

‘‘Qytetarët e dinë saktë si është puna e shkollës fillore “Halil Alidema” e cila është nis 2016. Prej atëherë katër qeveri kanë kalu dhe ende ska përfundu por në tri vite ka stagnua, me ardhjen e kësaj qeverie këto tri vite s’është punu fare. Tash nuk dëshiroj me hy në procedura, në problematika niveli qendror, OSHP kjo tjetra, ajo tjetra, ato janë arsyetime që për mua s’kanë arsyeshmëri… Unë e kam ngritë zërin shumë herë për shkollën, me qindra herë sepse dy shkollat e para shqipe në Kosovë janë në Viti, njëra në Stubëll 1905, më 1908 në Pozheran, prandaj kjo shkollë ka trashëgimi kulturore-historike. Ka qenë projekt i komunës dhe ministrisë së Arsimit në atë kohë, por me një periudhë qeveria tjetër ia ka dorëzu ministrisë së Administratës Publike me implementu, jo vetëm këtë shkollë disa shkolla. Si e tek, nuk e di, vetëm ka qenë anomali, anakronizëm. Qysh para tri vite kjo ka qenë në një gjendje që ka mujt shumë shpejt me u funksionalizua, por me ardhjen e kësaj qeveri stagnoi”, tha Haliti.

Haliti tha se në shkollën “Halil Alidema” dyert e dritaret nuk mbyllen e kanalizimi rrjedh, ndërsa për çerdhen në Drobesh tha se duhet të zhvillohen procedurat e rekrutimit dhe pranimit në punë të stafit përkatës.

(Kosova Sot Online)