
Punonjësi i Gjykatës Themelore në Prishtinë kapet me drogë

Së fundmi në Prishtinë, përfundoi në pranga punonjësi i një institucioni, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Sipas raportimeve një shofer i Gjykatës Themelore në Prishtinë është kapur me substanca narkotike në rrugën “Xhemail Mustafa”.
I dyshuari është ndalur teksa ishte në lëvizje me veturën e tij dhe pas kontrollit, zyrtarët policorë i kanë gjetur drogë të llojit marihuanë dhe kokainë.
Droga e ndarë në qese është sekuestruar, ndërsa i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit për veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.
(Kosova Sot Online)