Dy persona në Pejë, dyshohet se keqpërdoren kartela bankare për t’ia marrë paratë disa personave
Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona, një grua dhe një burrë, për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Ata dyshohen se kanë keqpërdorur kartelat bankare të disa personave dhe ua kanë tërhequr mjetet e përfituara nga skema pensionale, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Tërheqja e parave dyshohet se ka ndodhur në vazhdimësi për disa muaj, tha policia.
“Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), sot me 17.01.2025, ka zbatuar urdhër kontrollin e Gjykatës Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Renda, me ç’rast sipas urdhëresës janë kontrolluar tri (3) lokacione të ndryshme me dyshime për veprat penale “Keqpërdorim të detyrës zyrtare“, “Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit”, të parapara sipas KPRK-së”, thuhet në komunikatë.
Policia e Kosovës hetimet për këtë rast i kishte filluar nga muaji korrik të vitit të kaluar me autorizim të Prokurorisë Themelore Pejë ku edhe janë aplikuar masat e veçanta të hetimit si dhe ka bërë grumbullimin e informatave të nevojshme, duke bashkëpunuar edhe me institucione tjera sipas kompetencës, përmes të cilave është arritur të sigurohen dëshmi të arsyeshme për veprat panele të cekura më lart.
“Dy (2) persona të dyshuar në këtë rast, një femër dhe një mashkull – kosovarë, dyshohet se me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete kanë keqpërdorur kartelat bankare të disa personave dhe ua kanë tërhequr mjetet e përfituara nga skema pensionale. Tërheqja e parave dyshohet se ka ndodhur në vazhdimësi për disa muaj”.
Gjatë kontrollit të lokacioneve janë gjetur dhe janë sekuestruar dëshmi si në vijim:
• gjashtë (6) kartela bankare në emër të personave të tjerë
• një (1) telefon
• dokumentacion me rëndësi për procedurat hetimore
Gjithashtu janë gjetur dy armë zjarri, një AK-47 dhe një armë e shkurtër për të cilat pas konsultimit me prokurorin e rastit është iniciuar rast i veçantë.
Personat e dyshuar janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje deri 48 orë.
(Kosova Sot Online)