Ushtarët italianë të KFOR-it kryejnë stërvitje intensive
Ushtarët italianë nga Batalioni Kinetic i Komandës Rajonale në Perëndim të KFOR-it kanë kryer një stërvitje intensive të Kontrollit të Turmës dhe Trazirave (CRC), të cilët u trajnuan nga kolegët e tyre hungarezë nga Batalioni i Rezervës Taktik i KFOR-it, njoftoi misioni i NATO-s në Kosovë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
“Ky lloj trajnimi vendos një fokus të veçantë në menaxhimin e frikës nga zjarri (Firephobia) dhe në përvetësimin e teknikave për të minimizuar dëmet e shkaktuara nga flakët”, shtoi KFOR.
KFOR-i përsëriti se vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, “në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme”.
KFOR-i tha se punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë.
(Kosova Sot Online)