Tre nxënës në Suharekë lëndohen nga sulmi i qenit

  • A.P /
  • 22 January 2025 - 12:30
Tre nxënës në Suharekë lëndohen nga sulmi i qenit

Tre nxënës të shkollës “17 Shkurti” në Shirokë të Suharekës janë lënduar nga sulmi i qenit ka njoftuar Policia rajonale e Prizrenit. Sipas zyrtarëve policorë një nxënëse ka pësuar lëndime më serioze në kokë, derisa lidhur me rastin është identifikuar dhe arrestuar pronari i qenit. Rasti është evidentuar si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Zëdhënësi Vesel Gashi ka bërë të ditur se Policia në Suharekë të mërkurën rreth orës 09:50 ka pranuar informatën se ka ndodhur një sulm ndaj nxënësve nga një qen në objektin e kësaj shkolle.

“Patrullat policore i janë përgjigjur rastit me urgjencë, ku pasi kanë arritur në shkollë kanë vërejtur një qen brenda shkollës, i cili kishte sulmuar nxënësit e shkollës dhe paraqiste rrezik potencial ende. Qeni ka sulmuar edhe policët mirëpo në shpejtësi është asgjësuar duke e mënjanuar rrezikun e mëtutjeshëm”, ka thënë Gashi.

Sipas tij, Policia ka ndihmuar nxënësit të dërgohen në urgjencë për mjekim si dhe ka siguruar vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore në lidhje me rastin në fjalë, duke njoftuar prokurorin kompetent, Hetimet Rajonale në Prizren, IPK-në si dhe është identifikuar pronari i qenit dhe është arrestuar.

(Kosova Sot Online)