Kurti: Qeveria jonë ka investuar shumë në shëndetësi

  • A.P /
  • 23 January 2025 - 12:00
Kurti: Qeveria jonë ka investuar shumë në shëndetësi

Kryeministri Albin Kurti në Vushtrri ka deklaruar se si Qeveri kanë investuar shumë edhe në shëndetësi, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

"Buxheti është 50% më i madh se sa në vitin e parë parapandemik 2019. Shumë prej klinikave qendrore në Prishtinë, ku trajtohen pacientë nga mbarë Kosova janë transformuar plotësisht e rrënjësisht. Në mandatin e ri, në fokus do t’i kemi spitalet e qyteteve. Pra, pas vizionit tonë “klinikë pas klinike” në këtë mandat që po e përmbyllim dalëngadalë, por sigurt, në mandatin e ri të cilit po i afrohemi me shpejtësi e sigurt, do ta kemi vizionin tonë “spital pas spitali”.", tha ai.

"Kësisoj, në Mitrovicë do ta ndërtojmë spitalin e ri, në Ferizaj do ta ndërtojmë spitalin e ri, në Gjilan do ta transformojmë rrënjësisht atë, të gjitha spitalet do t’i modernizojmë, shërbimet do t’i decentralizojmë, e spitalin e Vushtrisë do ta zgjerojmë me kapacitete infrastrukturore dhe pajisje të reja moderne teknologjike, sepse duam ta bëjmë qendër të specializuar për ndërhyrjet minimale invazive", ka shtuar Kurti.


(Kosova Sot Online)