Njësia policore e specializuar e EULEX’it do të përkujdeset për sigurinë gjatë zgjedhjeve
EULEX ka njoftuar se dje shefi i këtij misioni, Giovanni Pietro Barbano, ka shprehur mirëseardhje për Njësinë Policore të Specializuar të Pestë (NJPS), transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Këta policë vijnë nga forcat e EURGENDFOR’it dhe se ata do të garantojnë siguri për të gjitha komunitetet gjatë zgjedhjeve të 9 shkurtit.
“Dje, Shefi i Misionit EULEX u ka shprehur mirëseardhje Njësisë Policore të Specializuar të 5-të (NJPS). Këta policë, që vijnë nga forcat e EUROGENDFOR-it të siguruara nga Xhandarmëria Kombëtare e Francës , Karabinierët e Italisë , Shërbimi i Sigurisë Publike i Lituanisë dhe Garda Kombëtare Republikane e Portugalisë , do të punojnë krah për krah me Njësinë Policore të Specializuar (NJPS) të siguruar nga Policia e Polonisë për ta përmbushur mandatin e Misionit për ta mbështetur stabilitetin në mbarë Kosovën dhe për garantimin e sigurisë për të gjitha komunitetet gjatë zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme.”
“EULEX-i vepron si reaguesi i dytë i sigurisë në Kosovë në kuadër të mekanizmit me tre nivele të reaguesve të sigurisë, ku Policia e Kosovës është reaguesi i parë i sigurisë, EULEX-i është i dyti dhe misioni KFOR i udhëhequr nga NATO është i treti.”
(Kosova Sot Online)