PZAP e gjobit Vetëvendosjen me 10 mijë euro

  • A.P /
  • 30 January 2025 - 12:29
PZAP e gjobit Vetëvendosjen me 10 mijë euro

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e ka gjobitur Lëvizjen Vetëvendosje me 10 mijë euro për deklaratat e Donika Gërvallës për kreun e AAK’së, Ramush Haradinajn, gjatë një tubimi në Deçan, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Sipas ankesës së paraqitur nga AAK, Gërvalla gjatë këtij tubimi, në fjalën e saj, e ka quajtur Haradinajn “gjeneral të vetëshpallur”, dhe më pas ka vazhduar me fjalët “prandaj unë mendoj që aq më pak meriton respekt kush sakrificën personale apo familjare e përdor për arsyetim për krim për korrupsion, për vrasje apo mashtrim”.

“Ankuesi thekson se deklaratat e bëra nuk janë asgjë tjetër veçse një tentativë për të manipuluar opinionin publik, ku shihet qartë se Shwarc, e akuzon liderin e një partie opozitare për vrasës e kriminel”, thuhet në ankesë.

Në përgjigje ndaj kësaj ankese, VV ka thënë se Gërvalla nuk e ka thënë asnjëherë këtë deklaratë, shkruan Reporteri.

Paneli thotë se pas shikimit të materialit, shihet se Gërvalla ka përdorur gjuhë fyese dhe denigruese duke nxitur urrejtje ndaj subjekteve tjera politike.

“Sipas Panelit nga përmbajtja e deklaratës së kandidates për deputete nga radhët e listës Guxo Donika Gërvalla Schwartz, konsiderohet gjuhë nxitëse dhe urrejtëse kundrejt të tjerëve në kuadër të fushatës zgjedhore dhe se kjo konsiderohet shkelje e rregullave zgjedhore në Kosovë, ngase veprimi i marrë në kohë të fushatës zgjedhore, konteksti dhe masa që i është drejtuar ka për qëllim të krijojë atmosferë tensioni ose të nxisë ndjenja të urrejtjes dhe te përçarjes. Paneli vlerëson se partitë dhe kandidatët janë të detyruar të respektojnë etikën zgjedhore dhe të shmangin veprime që mund të sjellin pasiguri apo të përkeqësojnë atmosferën politike dhe ne përgjithësi atmosfere destabiliteti. Përdorimi i gjuhës së tillë mund të dëmtojë procesin demokratik dhe të rrisë tensionet në vend. Kjo është një shkelje e rregullave që kërkojnë një fushatë paqësore, të ndershme dhe të drejtpërdrejtë”, thuhet në vendim.

Lëvizja Vetëvendosje ka afat 15 ditë që ta paguaj këtë gjobë, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij vendimi.


(Kosova Sot Online)