
Lajçak: Kosova e Serbia të jenë krenare për Marrëveshjen e Ohrit

Pas gati pesë vjetësh në krye të dialogut Kosovë-Serbi si lehtësues i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak ka përfunduar zyrtarisht mandatin, duke ia dorëzuar detyrën pasardhësit të tij, diplomatit Peter Sorensen, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Në një postim në “X” të premten, Lajçaku e përshkroi periudhën si emisar si mision sfidues, por të shpërblyer, duke vënë në dukje rëndësinë e arritjeve në këtë proces, përfshirë Marrëveshjen e Ohrit në mars të vitit të kaluar.
“Dhe kaq ishte. Pas 4 vjetësh e 10 muajsh si lehtësues i dialogut i Bashkimit Evropian, zyrtarisht po ia dorëzoj detyrën pasardhësit tim, Peter Sorensen. Ka qenë mision sfidues, por i shpërblyer, dhe si Kosova ashtu edhe Serbia mund të jenë krenare për arritjen e Marrëveshjes së Ohrit”, ka shkruar Lajçak.
Ndërkohë, Peter Sorensen, diplomat me përvojë të gjatë në strukturat e BE-së, pritet të vazhdojë përpjekjet për zbatimin e marrëveshjeve të arritura dhe për avancimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
(Kosova Sot Online)