
'80% e të regjistruarve në diasporë votuan për zgjedhjet e 9 shkurtit'

Zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi, ka thënë se përqindja e pjesëmarrjes në votimin jashtë Kosovës është 80.10 për qind por shton se kjo mund të ndryshojë pas procesit të vlerësimit, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Ai ka thënë se numri i votave në përfaqësitë diplomatike është 15 mijë e 352 nga 20 mijë e 324.
“Sipas të dhënave preliminare, numri i votave në përfaqësitë diplomatike në të cilat u zhvillua votimi më 8 shkurt 2025, është 15,352 nga 20,324. Ndërkaq, lidhur me pjesën tjetër të votimit nga jashtë Kosovës, votimin përmes postës, në kutitë postare të KQZ-së në shtete të ndryshme janë pranuar 68,712 pako me fletëvotime. Në përgjithësi, nga votimi në përfaqësi diplomatike dhe nga pakot e pranuara, përqindja e pjesëmarrjes në votimin jashtë Kosovës është 80.10% (kjo përqindje mund të ndryshojë pas procesit të vlerësimit). “
Numri i shtetasve të Kosovës të regjistruar për votimin jashtë Kosovës ishte 104 mijë e 924 votues.
Numërimi i tyre do të bëhet pas disa ditësh në QNR.
“Sipas procedurave, pakot me fletëvotime i nënshtrohen procesit të vlerësimit, i cili përfshinë verifikimin nëse ato u takojnë votuesve të regjistruar dhe nëse janë ndjekur procedurat tjera të parapara, ndërkaq numërimi i këtyre fletëvotimeve do të bëhet pas disa ditësh në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.”
“Lidhur me numrin e votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta, ju njoftoj se së shpejti do të kemi të dhënat për të gjitha komunat. Edhe numërimi i këtyre votave do të bëhet në QNR pas disa ditësh.”
(Kosova Sot Online)