
Pse protestat e studentëve në Serbi nuk kanë lider?

“Po tregojmë unitet”.
Kështu i përgjigjet një student i Fakultetit të Transportit në Beograd pyetjes se përse studentët në Serbi këmbëngulin që protestat e tyre të mos kenë lider.
Gjatë bisedës, ai thotë se do që të prezantohet vetëm si student në Fakultetin e Transportit, pa dhënë emrin dhe mbiemrin, sepse, siç shprehet, është qëndrim i plenumit të fakultetit që asnjë individ nuk bie në sy në raport me kolektivin.
Për më shumë se dy muaj, studentët në Serbi janë duke bllokuar dhjetëra fakultete në të gjithë vendin. Ata kërkojnë përgjegjësi penale dhe politike për aksidentin në Novi Sad, ku nga shembja e një strehe në Stacionin Hekurudhor të qytetit, më 1 nëntor të vitit të kaluar, humbën jetën 15 persona.
Javëve të fundit, ata janë në krye të protestave masive që zhvillohen në shumë bashki e qytete. Studentëve u bashkohen edhe mijëra qytetarë të tjerë.
Pushteti e mohon përgjegjësinë për aksidentin dhe pretendon se kërkesat e studentëve janë plotësuar.
Studentët, në anën tjetër, distancohen nga veprimet e partive politike, organizatave joqeveritare dhe grupeve rinore aktiviste.
Në protesta mbajnë flamuj të shtetit dhe universiteteve, por distancohen nga simbolet politike.
“Për ne është e rëndësishme që në këto momente të ruhet autonomia studentore. Vetë studentët i iniciuan bllokadat e fakulteteve dhe më vonë, me protesta, e ngritën gjithë vendin në këmbë. Për ne është e rëndësishme që lëvizja jonë studentore të mbetet autonome dhe e pavarur nga çdo faktor”, thotë studenti i Fakultetit të Transportit.
Ai shton se në mesin e studentëve ka orientime të ndryshme politike, por se ata janë të bashkuar rreth kërkesave që janë parashtruar para institucioneve të Serbisë.
“Prandaj, ne nuk duam që ajo që kemi arritur, të përdoret për qëllime apo promovime politike”, thotë studenti.
“Anonimiteti si një formë mbrojtjeje”
Studenti në Fakultetin e Transportit tregon se anonimiteti i tyre është një formë mbrojtjeje.
“Ne duam që të gjithë të jenë të sigurt dhe të mos përpiqen të na i pengojnë bllokadat duke shënjestruar individë, por, përkundrazi, ne duam të veprojmë si një masë që ka një qëndrim të përbashkët”, shton ai.
Që nga fillimi i bllokadave, studentët janë vënë në shënjestër të tabloideve proqeveritare dhe përfaqësuesve qeveritarë.
Pa ofruar ndonjë provë, ata i akuzojnë studentët si “mercenarë të huaj” dhe shërbimet e inteligjencës perëndimore për ndërhyrje.
Në adresat e shtëpive të tyre dhe të prindërve, studentët kanë marrë edhe thirrje nga Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit për “intervista informative”.
Disave që kanë dalë publikisht, u janë publikuar edhe informacione personale nga tabloidet proqeveritare.
Profesorë të universiteteve – më shumë se 5.000 prej tyre – janë rreshtuar pas studentëve.
Përmes një peticioni, ata kanë theksuar se i dënojnë përpjekjet e autoriteteve për t’i frikësuar.
Zoran Stojilkoviq, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, thotë se Qeveria e Serbisë ka dështuar në përpjekjet e saj për t’i delegjitimuar protestat e studentëve.
“Të veprosh pa liderë të dukshëm, është diçka për të cilën ky sistem dhe regjim nuk ka reagim adekuat. Kjo është dëshmuar të jetë shumë efektive, sepse nuk mund t’i delegjitimosh lehtë me këtë apo atë lloj ndikimi… dhe, nga ana tjetër, kjo e ruan një lloj uniteti”, thotë Stojilkoviq.
(Kosova Sot Online)