
DASH pas takimit në Riad: SHBA dhe Rusia u pajtuan për të punuar drejt paqes në Ukrainë

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia janë pajtuar të martën për t’i adresuar faktorët “acarues” në marrëdhëniet mes dy vendeve dhe kanë nisur punën drejt dhënies fund të luftës në Ukrainë, ka thënë të martën Departamenti amerikan i Shtetit, duke e bërë të qartë se përpjekjet janë ende në fazat e para, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
“Një thirrje telefonike, e pasur me një takim, nuk janë të mjaftueshme për paqe të qëndrueshme”, ka thënë zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce, pas takimit që është zhvilluar në Riad të Arabisë Saudite.
Sipas DASH-it, palët janë pajtuar për të vazhduar bashkëpunimin në çështje të interesit të përbashkët gjeopolitik, për mundësi ekonomike dhe mundësi për investime, që dalin nga përfundimi i luftës së Moskës në Ukrainë.
Yuri Ushakov, këshilltar për politikë të jashtme i presidentit rus, Vladimir Putin, ka thënë të martën se takimi ka qenë i sukseshëm.
Ushakov ka thënë se palët janë pajtuar për kushtet e një takimi mes Putinit dhe presidentit amerikan, Donald Trump.
Ai ka thënë se një takim mes dy liderëve nuk ka mundësi të zhvillohet javën tjetër, dhe se nuk ekziston një datë konkrete për takimin.
Sipas tij, dy palët do t’i formojnë ekipet e tyre negociatore për të pasur kontakt në kohën e duhur.
Pala amerikane – që përbëhej nga Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, Këshilltari për Siguri Kombëtare, Mike Waltz dhe i dërguari i posaçëm amerikan për Lindje të Mesme, Steve Wikoff – ka thënë paraprakisht se takimi i sotëm nuk ka të bëjë me nisje të negociatave, mirëpo për të parë nëse Rusia është “serioze” në dhënien fund të luftës në Ukrainë.
Pala ruse – e përbërë nga ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe Yury Ushakov, këshilltar për politikë të jashtme i presidentit rus, Vladimir Putin – ka thënë se prioritet do të ketë normalizimi i marrëdhënieve me SHBA-në.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky nuk është ftuar për të marrë pjesë në bisedime dhe ka thënë se Kievi nuk do të njohë asnjë marrëveshje të arritur për Ukrainën, kur Ukraina të mos jetë prezente në tavolinën e negociatave.
Zelensky aktualisht është në një vizitë në Lindje të Mesme, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite dhe Turqinë.
Kremlini: Putin do të bisedojë me Zelenskyn, ‘nëse është e nevojshme’
Teksa vazhdonin bisedimet, Kremlini ka thënë se presidenti Putin është i përgatitur për të biseduar me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, “nëse është e nevojshme”.
“Vetë Putin ka thënë se është i gatshëm të negociojë me Zelenskyn, nëse është e nevojshme”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov para gazetarëve.
“Megjithatë, duhet diskutuar bazën ligjore të marrëveshjeve, duke marrë parasysh që legjitimiteti i Zelenskyt mund të vihet në pikëpyetje”, ka thënë ai.
Zelensky është zgjedhur president më 2019 për një mandat pesëvjeçar.
Sipas ligjit, atij është dashur t’i skadojë mandati në maj të vitit 2024, mirëpo zyrtarët ukrainas kanë thënë se vazhdimi i luftës dhe shpallja e gjendjes së luftës e bëjnë të pamundshme mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Ligji i Ukrainës për gjendjen e luftës ndalon mbajtjen e zgjedhjeve lokale, parlamentare dhe presidenciale.
Peskov ka thënë se Rusia nuk është kundër anëtarësimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian, për aq kohë sa nuk përbën kërcënim për sigurinë.
“Kjo është e drejtë sovrane e secilit shtet. Po flasim për integrim dhe procese ekonomike, dhe në këtë pikë, natyrisht, askush nuk mund të diktojë diçka për një shtet tjetër. Nuk do ta bëjmë këtë”.
“Por, qëndrimi ynë në çështjet e sigurisë, aleancat ushtarake, është krejt tjetër. Ajo është temë tjetër dhe të gjithë e dinë këtë”.
Takimi i 18 shkurtit në Riad është zhvilluar pas intensifikimit të përpjekjeve të Uashingtonit për t’i dhënë fund luftës gati trevjeçare në Ukrainë, ndonëse taktikat kanë tronditur qarqet diplomatike në Kiev dhe Evropë, meqë ka paqartësi për llojin e marrëveshjes që mund të arrihet në të ardhmen, me qëllim të dhënies fund të luftës.
“Ky mëtohet të jetë hapi i parë në procesin e gjatë të negociatave, mirëpo gjërat po lëvizin shpejt”, ka thënë Nigel Gould-Davies, ish-diplomat britanik që aktualisht është hulumtues i lartë në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
“Ekziston një rrjedhshmëri që do të vazhdojë të avancohet në këto kohë paqartësish”.
Rëndësia e takimit
Bisedimet mes dy vendeve janë të parat të nivelit të lartë në vjetët e fundit, dhe kishin për synim hapjen e rrugës për një samit mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe presidentit rus, Vladimir Putin.
Në delegacionin amerikan nuk është përfshirë gjenerali i pensionuar, Keith Kellogg, i dërguar i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë për të negociuar një zgjidhje për luftën.
Zelensky ka thënë se Kellogg do të arrijë në Kiev më 20 shkurt për “bisedime të gjata për garanci të sigurisë”.
Ndërkohë që liderët evropianë janë takuar në Paris në një samit urgjent për Ukrainën dhe çështje të mbrojtjes, Lavrov ka thënë se nuk sheh arsye që evropianët të përfshihen në diskutime.
“Asgjë e madhe nuk do të arrihet derisa të mos jenë Trumpi dhe Putini në dhomën e njëjtë”, ka thënë Andrew D’Anieri, hulumtues i lartë për Këshillin Atlantik, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
“Kjo do të thotë se ka ende kohë dhe shumë mundësi që evropianët dhe ukrainasit të formësojnë idetë e administratës Trump”.
(Kosova Sot Online)