
Ja kandidatët më të votuar të koalicionit AAK - Nisma

Nëntë përfaqësues të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe një përfaqësues i Nismës Socialdemokrate plotësojnë dhjetë kandidatët më të votuar të koalicionit AAK - Nisma në zgjedhjet e 9 shkurtit, pas numërimit të rreth 70% të votave, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, rezulton të jetë kandidati më i votuar me 32 mijë vota, bazuar në një listë të cilën e ka publikuar portali.
Bazuar në këtë listë, e cila paraqet rezultatet e kandidatëve për deputet pas numërimit të 73% të votave, Daut Haradinaj është i dyti me 19 mijë vota.
Fatmir Limaj, udhëheqësi i partnerit të koalicionit Nismës Socialdemokrate, është i treti më i votuari i listës me 16 mijë vota.
Tetëshen e listës së koalicionit AAK - Nisma e plotësojnë Time Kadrijaj me 11 vota, Bekë Berisha me 10 mijë vota, Lahi Brahimaj me 8 mijë vota, Arber Tolaj me 7 mijë vota dhe Albana Bytyqi me po ashtu 7 mijë vota.
Ardian Gjini është kandidati i nëntë më votuar, me rreth 7 mijë vota, po aq sa ka edhe Bashkim Ramosaj, i renditur i dhjeti.
Derisa Pal Lekaj e Besnik Tahiri nuk kanë arritur të hynë në top dhjetëshën e më të votuarve duke mos siguruar ulësen në Kuvend.
(Kosova Sot Online)