Gjithçka duhet të dini për goditjen që Trump i dha Zelenskit

  • A.P /
  • 05 March 2025 - 08:11
Gjithçka duhet të dini për goditjen që Trump i dha Zelenskit

Administrata Trump ka pezulluar çdo dërgesë ndihme ushtarake amerikane për Ukrainën, duke bllokuar miliarda dollarë ndihma jetike ndërsa Shtëpia e Bardhë po ushtron presion mbi Ukrainën për të arritur një marrëveshje paqeje me Vladimir Putinin, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ky vendim pritet të ndikojë në dërgesat e municioneve, armatimeve dhe pajisjeve të tjera, për të cilat ishte rënë dakord gjatë presidencës së Joe Biden.

Njoftimi erdhi pas një përplasjeje të ashpër të premten në Shtëpinë e Bardhë, ku Donald Trump i tha Volodymyr Zelenskyt se ai “po luante me” një luftë të tretë botërore. Presidenti ukrainas u ftua të kthehej në bisedime “kur të jetë gati për paqe”.

Një zyrtar i lartë i administratës i tha Fox News se kjo nuk është një ndërprerje përfundimtare e ndihmës, por një pauzë e përkohëshme. Bloomberg raportoi se i gjithë materiali ushtarak amerikan që nuk ndodhet ende në Ukrainë do të bllokohet, përfshirë armët që janë tranzit në avionë e anije ose që presin në zona kufitate si në Poloni. Agjencia shtoi se Trump i ka dhënë urdhër Sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth, të zbatojë këtë pezullim.

Vendimi erdhi pas një takimi në Shtëpinë e Bardhë ku morën pjesë Hegseth, nënkryetari JD Vance, Sekretari i Shtetit Marco Rubio, drejtoresha e inteligjencës kombëtare Tulsi Gabbard dhe i dërguari i Trumpit për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff.

“Presidenti e ka bërë të qartë se fokusi i tij është paqja. Na duhet që edhe partnerët tanë të angazhohen për këtë qëllim,” i tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë Washington Post-it. “Po bëjmë një ngrirje dhe po rishikojmë ndihmën tonë për t’u siguruar që ajo ndihmon në një zgjidhje”, vijoi ai.

Sipas Oleksandr Merezhko, kryetar i komisionit për punët e jashtme në parlamentin ukrainas, Trump duket se po përpiqet ta shtyjë Ukrainën drejt kapitullimit. “Ndalimi i ndihmës tani është i barabartë me dorën e shtrirë ndaj Putinit,” tha ai për Reuters. “Në pamje të parë, duket shumë keq. Duket sikur po na shtyn drejt kapitullimit, domethënë drejt [pranimit] të kërkesave të Rusisë.”

Razom for Ukraine, një grup që mbron të drejtat e ukrainasve, deklaroi: “Duke ndalur në mënyrë të papritur ndihmën ushtarake për Ukrainën, presidenti Trump i lë ukrainasit në mëdyshje dhe i jep dritën jeshile Rusisë për të vazhduar marshimin e saj drejt Perëndimit. Razom for Ukraine i bëri thirrje Shtëpisë së Bardhë të ndryshojë menjëherë kursin, të rifillojë ndihmën ushtarake dhe të ushtrojë presion mbi Putinin që të ndalojë këtë pushtim të tmerrshëm.”

Sipas Komitetit për një Buxhet Federal të Përgjegjshëm, një organizatë jopartiake, Kongresi Amerikan ka miratuar një ndihmë totale prej 175 miliardë dollarësh për Ukrainën që nga pushtimi i saj nga Rusia pothuajse tre vjet më parë.

Në dhjetor, pak para se të largohej nga detyra, Joe Biden njoftoi një ndihmë shtesë prej 5.9 miliardë dollarësh për sigurinë dhe buxhetin.

Ndihma amerikane për Ukrainën përfshin ndihmë ushtarake, ndihmë buxhetore – e cila në masë të madhe është siguruar nga një fond besimi i Bankës Botërore – si dhe fonde të tjera të ofruara nga Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), të cilat janë kufizuar nga administrata Trump.

Një pjesë e parave të dërguara nga Shtetet e Bashkuara në Ukrainë e ka ndihmuar vendin të paguajë pagat e mësuesve dhe mjekëve, si dhe të mbajë qeverinë funksionale, duke i mundësuar asaj të përqendrohet në luftën kundër pushtimit rus.

Ndihma amerikane për Ukrainën në fushën e armatimeve është lehtësuar përmes dy programeve kryesore: Autoriteti Presidencial i Tërheqjes (PDA), i cili i lejon presidentit të transferojë shpejt armë dhe pajisje nga rezervat amerikane te vendet e huaja pa pasur nevojë për miratimin e Kongresit; dhe Iniciativa për Ndihmën e Sigurisë për Ukrainën (USAI), ku pajisjet ushtarake blihen nga industria e mbrojtjes.

Në total, Shtetet e Bashkuara kanë premtuar ndihmë ushtarake për Ukrainën me vlerë 31,7 miliardë dollarë, nga të cilat pjesa më e madhe – më shumë se 20 miliardë dollarë, sipas një analize të Reuters – është dërguar tashmë.

Njoftimi i tanishëm ka të bëjë kryesisht me ndihmën që ishte miratuar më parë, por që ende nuk ishte shpërndarë. Trump nuk ka miratuar asnjë ndihmë të re me autoritetin e tij presidencial që nga marrja e detyrës, dhe një program i ri ndihme nga Kongresi duket i pamundur, të paktën në afat të shkurtër.

Më herët të hënën, Trump shprehu edhe njëherë zemërim ndaj Zelenskyt për deklaratën e tij se përfundimi i luftës mund të jetë “shumë, shumë larg”.

Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale të hënën, Trump ndau një artikull të Associated Press që përshkruante komentet e Zelenskyt dhe deklaroi: “Kjo është deklarata më e keqe që Zelensky mund të kishte bërë, dhe Amerika nuk do ta durojë për shumë gjatë!”

“Është pikërisht ajo që po thoja, ky njeri nuk dëshiron paqe për sa kohë që ka mbështetjen e Amerikës dhe të Europës”.

Më vonë të hënën, Trump deklaroi se Zelensky “nuk do të qëndrojë shumë gjatë” nëse nuk i nënshtrohet presionit dhe nuk arrin një marrëveshje sipas kushteve amerikane.

Administrata Trump gjithashtu ka hartuar të hënën një plan për të rivendosur marrëdhëniet me Rusinë dhe për të hequr sanksionet ndaj Kremlinit.

Shtëpia e Bardhë i ka kërkuar Departamentit të Shtetit dhe Thesarit të përgatisin një listë të sanksioneve që mund të lehtësohen, në mënyrë që zyrtarët amerikanë të diskutojnë me përfaqësuesit rusë në ditët në vijim si pjesë e bisedimeve të gjera të administratës me Moskën mbi përmirësimin e marrëdhënieve diplomatike dhe ekonomike, raportoi Reuters, duke cituar një zyrtar amerikan dhe një tjetër person të njohur me këtë çështje.

Në një intervistë të regjistruar të hënën, përpara njoftimit për pezullimin e ndihmës, JD Vance i tha Fox News se dhurimi i interesave ekonomike për Shtetet e Bashkuara do të shërbente si një garanci sigurie për të ardhmen e Ukrainës– një referencë për marrëveshjen mbi mineralet, për të cilën Zelensky ishte thirrur në Uashington.

“Nëse dëshironi garanci të vërteta sigurie, nëse me të vërtetë doni të siguroheni që Vladimir Putini të mos e pushtojë përsëri Ukrainën, garancia më e mirë e sigurisë është t’u jepni amerikanëve një avantazh ekonomik për të ardhmen e Ukrainës,” tha Vance.

(Kosova Sot Online)