
Rusia thotë se i rimori tri fshatra të Ukrainës

Ministria ruse e mbrojtjes ka njoftuar për rimarrjen e fshatrave Viktorovka, Nikolayevka dhe Staraya Sorochina, sipas Agence France-Presse (AFP), transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Sipas DeepState – një sistem online në internet që ndihmon në gjurmimin në kohë reale të lëvizjeve të ushtrive – i lidhur me ushtrinë ukrainase, lëvizja ruse pasoi një “shkelje” në frontet e mbrojtjes ukrainase pranë qytetit Sudzha, i cili është nën kontrollin e Kievit.
“Një nga njësitë tona u largua nga pozicionet e veta. Pas kësaj, armiku përforcoi trupat e tij dhe filloi sistematikisht operacionet sulmuese… dhe ja rezultati”, tha DeepState, e cila ndiqet nga më shumë se 800,000 abonentë në faqen e internetit Telegram, raporton AFP.
Një burim i ushtrisë i intervistuar nga gazeta Ukrainska Pravda tha se ushtarët ukrainas po përpiqeshin të “stabilizonin situatën” por trupat ruse “kishin ndërprerë plotësisht linjat e furnizimit”.
Serhiy Sternenko, një aktivist i shquar ukrainas, shkroi të enjten: “Situata logjistike në rajonin e Kurskut po përkeqësohet me shpejtësi dhe është tashmë kritike”.
“Rrugët e logjistikës për në Sudzha janë nën kontrollin e plotë të zjarrit të armikut”, tha ai në një postim në X, duke cituar informacione nga njësitë e ushtrisë në zonë.
(Kosova Sot Online)