Daçiq: 13 persona u arrestuan gjatë natës

  • A.P /
  • 15 March 2025 - 11:20
Daçiq: 13 persona u arrestuan gjatë natës

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se 13 persona janë arrestuar mbrëmë gjatë natës në Beograd, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Beogradi mbrëmë mirëpriti çiklistët dhe kolonat e këmbësorëve studentë nga disa qytete dhe rajone të Serbisë, të cilët morën pjesë në maratonën shumëditore “Marshimi për Serbinë” për të arritur në një tubim të madh në Beograd të paralajmëruar për sot.

“Është në interesin tonë të garantojmë sigurinë dhe shërbimet e sigurisë së studentëve në bllokadë kanë një përgjegjësi të madhe dhe duhet të bashkëpunojnë me policinë në terren”, tha për RTS Daçiq.

“Ka pasur disa incidente gjatë natës, 13 persona janë ndaluar. Askush nuk lejohet të rrahë të tjerët, askush nuk lejohet të pushtojë institucionet”, tha Daçiq.

Një tubim i madh protestues  nën sloganin“15 për 15”, i thirrur nga studentët do të zhvillohet nga ora 16:00 në Beograd.

“Pra, kjo është vetëm pjesa e fundit e të gjitha aktiviteteve që kemi pasur. Ne lëshuam një deklaratë sonte, megjithëse studentët shpallën përfundimin në një kohë të caktuar. Por ka grupe të ndryshme që nuk mund të thuash as kujt i përkasin”, tha Daçiq.

Ai thekson se gjatë gjithë natës kanë pasur probleme me këto grupe dhe ka pasur disa incidente.

“Ka pasur disa incidente gjatë natës. Mendoj se 13 persona u ndaluan. Disa njerëz u ndaluan për prishje të rendit publik. Të gjitha këto incidente u drejtuan drejt Parkut të Pionierëve. Shumica e traktorëve u dëmtuan. Kishte tentativa për t’i vënë flakën atyre traktorëve. Nëse bëhej fjalë për ndezjen e zjarrit në kuptimin fizik të fjalës, ishte përpjekja për t’i vënë zjarrin duke u përmbysur traktori, duke u shtyrë në rrugë, duke qëlluar në pjesëmarrësit e tubimit në Parkun e Pionierëve, duke gjuajtur në polici”, theksoi Daçiq.

Në Parkun e Pionierëve po zhvillohet një kundër-protestë nga disa studentë që kanë dalë kundër protestave që po mbahen në Beograd tash e një kohë për incidentin që ndodhi në stacionin e trenit në Novi Sad ku nga shembja e një strehe betoni vdiqën 15 veta.


(Kosova Sot Online)