
Dështon seanca për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend

Në mungesë të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe deputetes Fitore Pacolli-Dalipi, ka dështuar të mbahet seanca e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku të njëjtit bashkë me deputetin tjetër të Vetëvendosjes, Salih Zyba dhe deputeten e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Drita Millaku, akuzohen për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në mars të 2018-ës, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Gjykatësi Sabit Sadikaj tha se i akuzuari Sveçla përmes e-mailit zyrtar ka njoftuar se gjendet jashtë vendit.
Në seancë mungoi edhe e akuzuara Pacolli-Dalipi, për të cilën, gjykatësi tha se nuk ka dëshmi se e ka pranuar ftesën për seancën e sotme.
Gjykatësi Sadikaj tha se procesverbali iu shërben si ftesë e rregullt të akuzuarve tjerë, kurse për Sveçlën dhe Pacolli-Dalipin do të përsëritet ftesa.
Ai tha se me ftesë të rregullt do të ftohet edhe avokatja e Zybës, Laura Kuqi, e cila mungoi në këtë seancë. Për mungesën e saj, avokati i Sveçlës- Laur Prenaj tha se ajo mungon për arsye shëndetësore.
Në këtë seancë, prezent ishin e akuzuara Millaku me avokatin e saj- Veton Robaj, i akuzuari Zyba, si dhe avokatët Laur Prenaj dhe Lavdrim Salihu (avokat i Pacolli-Dalipit). I pranishëm ishte edhe prokurori Milot Krasniqi.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 6 qershor 2024 ka konfirmuar aktakuzën ndaj Ministrit i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe tre deputetët Drita Millaku, Salih Zyba dhe Fitore Pacolli-Dalipi, për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend në mars të 2018-ës. Kurse, vendimin e Themelores e vërtetoi më pas Gjykata e Apelit.
Ndryshe në seancën fillestare të mbajtur më 26 mars 2024, ministri Sveçla dhe tre deputetët Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi ishin deklaruar të pafajshëm për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.
Ministri Sveçla dhe tre deputetët Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi akuzoheshin edhe për veprën penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, por për këtë vepër në seancën fillestare gjykatësi i rastit Sabit Sadikaj, kishte njoftuar se ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.
(Kosova Sot Online)