
Vance: Nuk është mirë për Europën të jetë vasale e sigurisë ndaj SHBA-së

Nënpresidenti amerikan JD Vance ka dhënë një intervistë të gjerë për qasjen e tij ndaj politikës europiane, duke i thënë UnHerd se “nuk është mirë për Europën të jetë përherë vasale e sigurisë së Shteteve të Bashkuara”, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Ai këmbënguli se “e do Europën” pavarësisht komenteve të tij kritike në Mynih apo gjatë udhëtimit të tij të fundit në Grenlandë, shkruan The Guardian.
Në komentet më tërheqëse për vëmendjen, ai përsëriti kritikën ndaj presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për komentet “absurde” se administrata Trump është “në anën e rusëve”, gjë që ai e quajti “sigurisht jo produktive”.
Ai gjithashtu përsëriti disa nga kritikat e tij ndaj liderëve europianë për çështjet e migracionit dhe integrimit, duke thënë se “popullsitë europiane vazhdojnë të kërkojnë politika më të arsyeshme ekonomike dhe migracioni, dhe liderët europianë vazhdojnë të kalojnë nëpër këto zgjedhje, dhe vazhdojnë t’u ofrojnë popujve europianë të kundërtën e asaj që duket se kanë votuar”.
Ai paralajmëroi gjithashtu se Europa duhet të angazhohet më shumë për mbrojtjen e saj, pasi “shumica e kombeve europiane nuk kanë ushtri që të mund të sigurojë mbrojtjen e arsyeshme të tyre”, duke përmendur si përjashtime Mbretërinë e Bashkuar, Francën dhe Poloninë.
Ai bëri thirrje gjithashtu për një Europë më të fortë, duke thënë: “Nuk dua që europiajët të bëjnë vetëm atë që u thonë amerikanët. Nuk mendoj se është në interesin e tyre, dhe nuk mendoj se është as në interesin tonë”.
(Kosova Sot Online)