Sot tentohet për herë të tretë zgjedhja e kryetarit të Kuvendit

  • A.P /
  • 21 April 2025 - 09:40
Sot tentohet për herë të tretë zgjedhja e kryetarit të Kuvendit

Deputetët e Kuvendit të Kosovës sot nga ora 15:00 do të mblidhen në sallën e seancave plenare ku do të vazhdohet seanca konstituive, me qëllim zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe më pas nënkryetarëve, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Lëvizja Vetëvendosje synon ta propozojë për herë të tretë për kryetare të Kuvendit Albulena Haxhiun, pasi dy herë dështoi zgjedhja e saj në seancën që u mbajt të shtunën.

Është vet Haxhiu që ka konfirmuar se ajo do të jetë sërish kandidate e VV-së për kryetare të Kuvendit.

“I përket VV-së ta bëjnë propozimin e radhës, do të jetë emri i njëjtë, faleminderit”, tha Haxhiu pas seancës të së shtunës ku dy herë nuk arriti të marrë më shumë se 57 vota të deputetëve, e që për t’u zgjedhur kryetare e Kuvendit nevojiten 61.

Propozimi që Albulena Haxhiu të marrë postin e kryeparlamentares në legjislaturën e nëntë mori votat e Lëvizjes Vetëvendosje, të gjithë deputetëve të pakicave joserbe përveç Duda Bales dhe Veton Berishës. Me 57 vota për, 20 kundër dhe 3 abstenime.

Pro zgjedhjes së Haxhiut si kryeparlamentare votoi edhe Nenad Rashiq, partia e së cilit ka siguruar një nga dhjetë ulëset që u takojnë përfaqësuesve të komunitetit serb.

Kundër zgjedhjes së Haxhiut votuan deputetët e zgjedhur të LDK-së, ndërsa ata të Nismës Socialdemokrate abstenuan.

Ndërkohë, PDK-ja, Lista Serbe dhe disa deputetë të AAK-së s’morën pjesë në votim.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha një ditë më parë se do ta votonin propozimin për kryetare të Kuvendit, nëse LVV-ja do ta zëvendësojë Haxhiun me një deputet tjetër.

Haradinaj të shutnën në Kuvend tha se partia e tij do të jepte votën pro, nëse Vetëvendosje propozon për kryetare të Kuvendit, Shqipe Selimin ose Saranda B0gujevcin.

Kujtojmë se në përpjekjen e tretë, me votat e partive opozitare u zhbllokuan dy hapa, ai i konfirmimit të mandateve dhe betimi i deputetëve.

(Kosova Sot Online)