Porfirije ia çon selamet e Vuçiqit Putinit: S’kemi perspektivë pa Kosovën

  • A.P /
  • 23 April 2025 - 14:41
Porfirije ia çon selamet e Vuçiqit Putinit: S’kemi perspektivë pa Kosovën

Nga Patrikana e Pejës ku qëndroi për Pashkë, Patriarku serb Porfirije për këtë festë shkoi edhe në Moskë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Atje ai është takuar me presidentin rus Vladimir Putin, të cili ia çoi edhe mesazhet e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

“Pa Kosovën dhe pa Republikën Srpska, populli serb nuk ka perspektivë”, i tha Patriarku Porfirije Putinit. 

Në këtë takim me Putinin, ai theksoi “rëndësinë jetike të mbështetjes ruse për interesat kombëtare dhe fetare të Serbisë”.

Porfirije shprehu mirënjohjen për “mbështetjen e palëkundur të raportuar të Moskës në lidhje me Kosovën, Republikën Srpska dhe Malin e Zi – të gjitha zonat me popullsi të konsiderueshme serbe dhe trashëgimi fetare”.

“Dëshira ime, dhe e shumicës së Kishës sonë, është që në çdo riorganizim të ardhshëm gjeopolitik, të gjejmë veten brenda sferës ruse”, tha patriarku, shkruan Kossev, transmeton Gazeta Express.

Ai përmendi edhe deklaratën e “paraardhësit të tij, Patriarkut Irinej, i cili tha në mënyrë të famshme se “anija e vogël” e Serbisë duhet të mbetet e lidhur me anijen e madhe ruse mes turbulencave globale”.

“Populli serb e shikon popullin rus si të tijin. Nganjëherë, shpresa që vendosim në Rusi dhe politikën ruse mund të duket se e tejkalon besimin tonë në aftësitë tona. Ndoshta ky është një paradoks”.

“Ju e dini shumë mirë,” i tha ai Putinit, “se pa mbështetjen tuaj dhe mbështetjen e Kinës, nuk e di se çfarë do të ndodhte me Kosovën. Unë festova Pashkët atje – është selia e Patriarkanës Serbe. Ne kërkojmë që ju të mbani qëndrimin tuaj dhe të bëni gjithçka që është e mundur”.

Vizita e patriarkut në Moskë erdhi menjëherë pasi ai kaloi Pashkët në Patriarkanën e Pejës në Kosovë.

Porfirije përcolli edhe “përshëndetjet” e presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe ndau se Vuçiq synon të marrë pjesë në festimet e Ditës së Fitores në Moskë më 9 maj, pavarësisht tensioneve në Europë”.

“Ai do të vijë, pavarësisht nga rrethanat”, tha patriarku.

Patriarku Porfirije iu referua protestave në Serbi me të njëjtin diskurs si të Vuçiqit.

“Ka një revolucion që po zhvillohet në shtëpi”, i i tha ai Putinit, duke iu drejtuar peshkopit Irinej për fjalën e duhur: “Revolucion me ngjyra”.

“Ne shpresojmë ta kapërcejmë këtë sprovë, siç thatë ju”, i tha patriarku Putinit. “Sepse ne e dimë – ndjejmë – se qendrat e pushtetit në Perëndim nuk duan që identiteti dhe kultura serbe të lulëzojë”.

Ndërkaq, Putin tha se pret që Vuçiq të shkojë në Moskë, ndërsa foli edhe për Ballkanin.

“Ne jemi të vetëdijshëm se situata në Ballkan është komplekse dhe ne i njohim përpjekjet tuaja për të forcuar pozicionin e Serbisë”, tha Putin, siç raportohet nga RIA Novosti.

“Unë kam deklaruar tashmë se marrëdhëniet ruso-serbe kanë pasur gjithmonë një karakter të veçantë dhe kjo mbetet e vërtetë edhe sot. Kjo, ndër të tjera, për shkak të rrënjëve të forta, të thella dhe shpirtërore që na lidhin”, shtoi ai.

“Unë e di se Kisha Ortodokse Serbe luan një rol të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve midis popujve tanë, të cilët tradicionalisht kanë ruajtur aleancën më të ngrohtë, më të afërt dhe më të besueshme”, tha ai.


(Kosova Sot Online)