Osmani: Vuçiqi është si Putini pasi mendon në mënyrë hegjemoniste

  • A.P /
  • 26 April 2025 - 13:01
Osmani: Vuçiqi është si Putini pasi mendon në mënyrë hegjemoniste

Gjatë një vizite zyrtare në Finlandë, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka dhënë një intervistë për “Yle”, një media finlandeze, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Osmani tha se situata në Ballkanin Perëndimor ka mbetur e tensionuar, duke shtuar se Serbia vazhdimisht vepron sipas dëshirës së Rusisë.

Ajo deklaroi se Vuçiq është si Putin pasi mendon në mënyrë hegjemoniste duke mohuar ekzistencën e vendeve fqinje.

“Situata është shqetësuese, pasi Serbia vazhdimisht vepron sipas dëshirës së Rusisë. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, ashtu si Vladimir Putin, mendon në një mënyrë hegjemoniste që mohon ekzistencën e vendeve fqinje”.

Tutje, ajo tha se Rusia nuk është e interesuar në “Kosovën e vogël”, por për ta destabilizuar Ballkanin Perendimor.

“Që nga invazioni në Ukrainë, Rusia ka trefishuar shumën e parave që ka harxhuar për propagandë dhe dezinoformatë dhe kjo tregon se Rusia ka një interesim special për Ballkanin Perëndimor. Rusia tradicionalisht ka besuar se duke destabilizuar pjesë të ndryshme të Evropës janë duke atakuar sistemin e bazuar në vlera që EU dhe NATO janë. Nuk është se Rusia është e interesuar në Kosovën e vogël, por ata janë të interesuar në një farë mënyrë për ta “djegur” situatën në Ballkan si regjion, destabilizimi në një regjion do të thotë destabilizim në krejt Ballkanin”, tha Osmani.

Ndër të tjerash, Osmani kishte bërë të ditur se përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe janë takuar për herë të fundit me Putin të mërkurën. Në takim u diskutua hapur për pushtimin e Malit të Zi, Bosnje-Hercegovinës dhe Kosovës. /klankosova

Derisa në intervistë tha se sipas saj është e çuditshme që BE-ja po rrit ndihmën për Serbinë, ndërkohë që vendi vazhdon të nxisë dhunën në vendet fqinje dhe shmang zbatimin e marrëveshjeve që tashmë janë bërë.

“Serbia nuk ka kërkuar kurrë falje për krimet e luftës apo krimet kundër njerëzimit të kryera kundër popullit tonë. Nuk kemi kërkuar kurrë hakmarrje, por drejtësi”, kishte nënvizuar Osmani.

(Kosova Sot Online)