Bebja shqiptare do të deportohet pa familjen

  • 17 February 2016 - 11:27
Bebja shqiptare do të deportohet pa familjen

Një dyvjeçare shqiptare duhet të udhëtojë e vetme drejt Shqipërisë”.

Ky është një titull që e has në dhjetëra media gjermane këto ditë.

Bëhet fjalë për vogëlushen Edona, 20-muajshe, që jeton me prindërit dhe vëllanë 6-vjeçar në Medebach të Gjermanisë.

Familja e saj ka kërkuar azil në Gjermani, pasi druhen për jetën në Shqipëri.

Por në njoftimin e mbërritur nga Zyra Federale për Emigracionin thuhet se brenda një javë, vogëlushja duhet të largohet nga vendi.

Shkaku: Ajo është e vogël dhe nuk mund të jetë subjekt përndjekjeje në Shqipëri.

Familja e saj thotë se në Shqipëri nuk mund të shkojnë pasi rrezikohen nga gjakmarrja.

Gazeta “Der Westen” shkruan se prindërit janë integruar në jetën gjermane, ata punojnë dhe nuk marrin asistencë sociale.

Ndërkohë djali i madh shkon në shkollë fillore.

“Sa çnjerëzore është të deportosh një bebe të vetme”, shkruan gazeta.

Por Spiegel shkruan se nuk është kështu e vërteta.

Kërkesa për azil e prindërve është shqyrtuar, por vendimi nuk bëhet publik për shkak se mund të shkelë privacinë.

Gjithçka vjen për shkak të sistemit të komplikuar si dhe numrit të madh të kërkesave për azil.

Zyra e Emigracionit sqaron se asnjë fëmijë nuk do deportohet i vetëm.

Sipas tyre, për fat të keq, fëmija e ka marrë komunikimin më herët se prindërit.

“Një gjë është e qartë, në varësi të vendimit për prindërit, do veprohet edhe me Edonën. Ose ikin të gjithë, ose qëndrojnë të gjithë”.

(Kosova Sot)