Tiranë, tetë foshnje braktisen çdo muaj.
Që nga viti 1995 më shumë se 700 fëmijë të sapo lindur në Shqipëri janë braktisur në rrugë apo maternitete, nga nënat e tyre.
“Djepi i engjëjve” është reparti që kujdeset për të sapolindurit pranë maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”.
“Unë kam 20 vjet me program me bebet këtu. Mërzitem shumë dhe më vjen keq kur dëgjoj që bebet gjenden në rrugë”, tha Claudia Jeniszewski, themeluese "Djepi i Engjëjve".
“Kemi një shërbim përveç mjekëve që janë neonatët, personelit të mesëm dhe punonjësja sociale që merret me nënën dhe këta fëmijë. Ne nuk kemi lidhje me birësimin, vetëm i mbajmë këtu dhe kujdesemi që këta fëmijë të jenë të shëndetshëm”, u shpreh Blenard Nonaj, drejtor materniteti "Mbretëresha Geraldine.
" Nuk kanë munguar edhe rastet brutale të braktisjes së foshnjave, duke u hedhur nga nënat në kazanët e mbeturinave.
“Rasti i fundit në dhjetor, bebja në kazan plehrash. Nëse vajza është shtatzënë dhe është sekret për të, atëherë ky është vendi i duhur”, vijon Jeniszewski.
“Nënat nëse duan i ruajnë kontaktet deri në momentin që e marrin në shtëpi, ka raste që i marrin. Më rrallë, po ka ndodhur”, shprehet punonjësja sociale Mira Asllani për Top Channel.
Në këtë repart aktualisht janë vetëm dy bebe, të cilat do të qëndrojnë këtu deri në moshën tre muajsh, por zakonisht pranë tij strehohen mesatarisht 8 bebe në muaj që braktisen në maternitet apo gjenden në mjedise të tjera.
Pas përkujdesit në muajt e parë të jetës, fëmijët çohen në shtëpitë e fëmijës, nga ku nisin procedurat e birësimit.
Për të gjitha nënat që nuk dinë ku të drejtohen, apo ndihen të frikësuara, Claudia ka një mesazh. “Ju lutem mos e braktisni beben tuaj në rrugë. Reparti jonë është i hapur gjithmonë tek materniteti “Mbretëresha Geraldinë”.
(Kosova Sot)