Familjet e shteteve
Njerëzit nuk janë të vetmit që kanë të afërm – edhe shtetet kanë shtete të tjera, që janë më të afërta me to. Familjet e shteteve ekzistojnë për shkaqe të ndryshme, si për shkak të vendndodhjes gjeografike, tregtisë, apo politikës.
Ballkani
Ballkani është regjioni në të cilin gjendet shteti ynë Kosova. Ai është gadishulli më i madh i Evropës Juglindore. Përpos Kosovës, këtu hyjnë edhe këto shtete: Sllovenia, Kroacia, Serbia, Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina, Shqipëria, Maqedonia, Bullgaria dhe pjesa evropiane e Turqisë. Edhe pjesa juglindore e Rumanisë dhe Greqisë veriore janë pjesë e Ballkanit.
Amerika Qendrore
Amerika Qendrore nënkupton shtatë shtete të Amerikës Veriore, midis Meksikës dhe Amerikës së Jugut: Belize, Kosta Rika, El Salvador, Guatemala, Honduras, Nikaragua dhe Panama.
Amerika Latine
Amerika Latine u referohet të gjitha shteteve në jug të SHBA-së, shtetet e Amerikës Qendrore dhe Jugore dhe Meksikos.
Lindja e Mesme
Këto shtete të Azisë Perëndimore, Afrikës Veriore dhe Gadishullit Arabik janë të lidhura në aspektin gjeografik: Bahrejni, Egjipti, Irani, Iraku, Izraeli, Jordani, Katari, Kuvajti, Libani, Omani, Arabia Saudite, Siria, Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Jemeni.
Vendet e NATO-s
NATO-ja është formuar në vitin 1949 dhe ka një qëllim: mbrojtjen e sistemit demokratik të qeverisë. Të gjithë e dimë se tani vonë, anëtare e re e NATO-s është bërë edhe Shqipëria (si dhe Kroacia). Vendet e tjera anëtare janë: Belgjika, Bullgaria, Kanadaja, Republika e Çekisë, Danimarka, Estonia, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Islanda, Italia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Holanda, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, Spanja, Turqia, Britania e Madhe dhe SHBA-ja.
Polinezia
Polinezia, që në shqip dmth “shumë ishuj”, është një shprehje e përgjithshme për ishujt e Oqeanit qendror/lindor Paqësor, ku përfshihen ishuj të shumtë, si Kuk, Ister, Pitkairn, Samoa, Tahiti dhe Tuvalu, si dhe ishujt Havai.
Azia Juglindore
Vendet të cilat përbëjnë Azinë Juglindore janë: Brunei, Indonezia, Kamboxhia, Laosi, Malajzia, Mianmari, Vietnami, Singapori, Tailanda, Filipinet dhe Timori lindor.
Skandinavia
Kjo familje ka shumë lidhje gjeografike, kulturore, politike dhe historike. Këto vende okupojnë regjionin e Evropës Veriore: Danimarka, Norvegjia dhe Suedia. Ndonjëherë edhe Finlanda, Islanda dhe Ishujt Faroe përfshihen në këtë regjion.
Emiratet e Bashkuara Arabe
Kjo bashkësi e shtatë mbretërive u krijua në vitin 1971 në Gjirin Persik, respektivisht në pjesën e Gadishullit Arabik. Këto mbretëri sundohen nga sheikët. Mbretëritë që përbëjnë këtë bashkësi, janë: Abu-Dabi, Ajman, Dubai, Fuxhairah, Ras al-Kaimah, Sharjah dhe Um al-Kaivain.
Mbretëria e Bashkuar e Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore
Këto vende sundohen nga familja mbretërore britanike dhe nga parlamenti: Anglia, Irlanda Veriore, Skocia dhe Uelsi.
Britania e Madhe përfshin Anglinë, Skocinë dhe Uelsin. Ishujt britanikë përfshijnë Britaninë e Madhe, Irlandën Veriore, Republikën e Irlandës, Ishujt Man dhe Ishujt Kanal.
Bashkimi Evropian
E formuar në vitin 1993, BE-ja është konfederatë politike dhe ekonomike e shteteve të Evropës që janë përgjegjëse për një politikë të përbashkët të jashtme dhe të sigurisë. Këtu bëjnë pjesë 27 shtete: Austria, Belgjika, Bullgaria, Qiproja, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Britania e Madhe, Greqia, Hungaria, Irlanda, Italia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Malta, Holanda, Polonia, Portugalia, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, Spanja dhe Suedia.
(Kosova Sot)