Historia e futbollit

Historia e futbollit bashkëkohor është më se 100 vjet e vjetër. E tëra filloi në vitin 1863 në Angli, kur futbolli filloi të diferencohej nga ragbi. Me këtë rast, u formua Shoqata e Futbollit, si organi më i lartë udhëheqës i këtij sporti.
Si ragbi, po ashtu edhe futbolli, duket se kanë origjinë të përbashkët, meqë një kërkim ndër shekuj tregon për ekzistimin e disa lojërave të ndryshme (rreth 6), që kanë dallime të mëdha, apo të vogla, të cilat mund të lidhen me origjinën e futbollit. Por, nuk mund të thuhet me saktësi se si erdhi deri te zhvillimi i lojës, të cilën ne sot e quajmë futboll. Si do që të jetë, mbetet fakti që njerëzit janë kënaqur duke e shutuar topin me mijëra vite dhe nuk duhet të mendohet se futbolli paraqet devijim të lojës më natyrale të topit - me duar.
Përkundrazi, u paraqit nevoja evidente për t’i inkuadruar në lojë edhe këmbët, shpesh pa asnjë rregull për mbrojtje. Manovrimi i topit me këmbë dhe kokë nuk ishte gjë e lehtë, prandaj kërkonte një stërvitje të gjatë. Forma më e hershme e lojës, për të cilën ka dëshmi, daton nga shekujt II dhe III para erës së re, në Kinë, ku është gjetur një manual ushtarak që e shpjegon këtë “ushtrim”.
Dinastia, e cila asokohe e sundonte Kinën quhej Tsu’ Çu, kurse loja konsistonte në shkelmimin e një topi të lëkurës, të mbushur me pupla dhe qime flokësh, i cili kishte një madhësi 30-40 cm të gjerësisë dhe i cili duhej të futej në një rrjet të vogël, të fiksuar në kallame të gjata bambuje. Sipas një varianti të këtij ushtrimi, lojtari nuk duhej të gjuante i papenguar, por ai duhej t’i përdorte këmbët, gjoksin, shpinën dhe supet derisa përpiqej t’i tejkalonte sulmet e kundërshtarëve të tij. Nuk lejohej përdorimi i duarve.
Edhe një variant tjetër i kësaj loje e ka origjinën nga Lindja e Largët. Bëhet fjalë për lojën japoneze, të quajtur Kemari, e cila filloi nja 500-600 vjet më vonë dhe që vazhdon të luhet edhe sot e kësaj dite. Kësaj loje i mungon elementi garues i lojës Tsu’ Çu. Duke qëndruar në rreth, lojtarët duhej t’ia gjuanin topin njëri-tjetrit, duke u munduar që ai të mos binte në tokë.
Loja greke “Episkyros”, nga e cila kanë mbijetuar disa detaje, ishte shumë më e gjallë, sikur që ishte edhe loja romake “Harpastum”. Te loja romake përdorej një top më i vogël, nga dy ekipe që gjendeshin në një fushë drejtkëndëshe, të ndarë në mes. Qëllimi i lojës ishte që topi të hidhej në fushën e kundërshtarit, me ç’rast përdorej një mjeshtëri e madhe e lojtarëve. Kjo lojë mbeti e popullarizuar për 700-800 vjet, ndërkaq romakët e çuan atë edhe në Britani, por ajo nuk kërkonte një angazhim të madh të këmbëve.
(Kosova Sot)