Jo zgjedhje pa reformë zgjedhore!
Florim Zeqa
Edhe pse mandati kushtetues është deri në fund të muajit Prill të vitit të ardhshëm, ditëve të fundit, bashkë me zërat janë shtuar edhe kandidaturat për pasuesin e presidentit aktual.
Në mos më parë, në pranverën e vitit të ardhshëm zgjedhjet parlamentare janë të pashmangshme në vendin tonë. Shtrohet pyetja, nëse shkohet në zgjedhje pa reformë zgjedhore çfarë do të ndryshoj në Kosovë!? Përgjigja është, asgjë!
Në mënyrë që zgjedhjet të kenë kuptim dhe të arrihet ndryshimi në Kosovë, fllimisht kërkohet ndryshimi i ligjit zgjedhor, përkatësisht kalimi nga një zonë në disa zona zgjedhore, nga listat e mbyllura në lista të hapura dhe amandamentimi i një ligji të veçantë që mundëson zgjedhjen e presidentit drejtëpërdrejt nga populli.
Pa reformën zgjedhore që mundëson votimin me lista të hapura për kandidatët për deputet dhe pa zgjedhjen e Presidentit të vendit drejtëpërdrejtë nga populli, jo vetëm që nuk do të kemi stabilitet politik, nuk do të kemi përfaqësim të denjë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Assesi nuk bën të shkohet në zgjedhje për interesa të partive politike dhe ambicie të liderëve partiak, e aq më pak të zgjedhet Presidenti sikurse deri më tani nga marrëveshjet politike brenda Kuvendit, ku deputetët vetëm zbatojnë urdhërat e liderëve partiak dhe mbrojnë interesat e ngushta partiake, klanore dhe personale.
Edhe pse në të kaluarën kishte dakordim të plotë nga partitë aktuale të përfaqësuara në Kuvend për ndryshimin e ligjit zgjedhor dhe reformen zgjedhore në përgjithësi, një nismë e tillë është harruar nga të gjitha partitë politike.
Janë interesat personale të liderëve partiak, që po bëhen pengesë serioze e reformës zgjedhore, e në veçanti e nxjerrjes së ligjit për zgjedhjen e presidentit nga populli.
Pa mbështetjen e votës dhe vullnetin e qytetarëve, asnjë president i zgjedhur me marrëveshje politike në Kuvend nuk mund ta përfaqësoj vullnetin e popullit, e aq më pak të luaj rolin unifikues dhe ceremonial e të parit të vendit.
Zgjedhja e presidentit nga populli do të eliminonte një herë e mirë pazaret mes subjekteve politike dhe ambiciet personale të liderëve partiak për t'u kontrabanduar në postin më të lartë në vend.
Konsensuesi i partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës, duhet të shkojë në funksion të reformes zgjedhore e jo në funksion të zgjedhjes së presidentit nga marrëveshjet politike para (pas) zgjedhore.
Në reformën për zgjedhjen e presidentit nga populli duhet të caktohen edhe kriteteret e juridike dhe politike, e jo t'i ipet mundësia secilit që ia ka ëndja të kandidoj për president.
Në vendet e zhvilluara dhe demokratike, secili mund të formojë parti apo të bëhet president i një partie politike, por kur është në pyetje posti më i lartë shtetëror dhe reprezentativ i shtetit në botë, janë disa parakushte dhe kritere të pakalueshme, siq janë; përvoja politike, aftësitë menaxhuese dhe unifikuese, paanësia partiake dhe ideologjike, niveli i lartë intelektual, pastërtia personale dhe familjare para ligjit dhe një vargë i gjatë i dëshmive tjera ligjore për mospërfshirje në afera korruptive apo kriminale.
Një president i zgjedhur drejtëpërdrejtë nga populli konformë kritereve të sipërpermendura do t'ia përmirësonte imazhin shtetit dhe do t'ua rriste krenarinë e qytetarëve të Kosovës.
Zoti e bekoftë votën e lirë dhe vullnetin e qytetarëve të vendit tim!
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".