Lexoni edhe:
Çobanët që po e drejtojnë shtetin e Kosovës nuk përballen dot me politikën tinëzare të Serbisë
Shkruan: Gani Qarri
Aleksandër Vuçiqi, si nxënës i përzgjedhur i kriminelit Millosheviq dhe ministër besnik i informatave në qeverinë e tij, duke parë se nuk mund të arrihen të gjitha qëllimet vetëm me luftë, ka ndryshuar strategjinë e veprimit, dhe i është kthyer tavolinës së bisedimeve, duke përdorur dialogun me mjeshtëri, për okupime të reja,zgjerimin e territoreve dhe krijimin e mëtejmë të “Republikave serbe, mbi toka të huaja, siç është tendenca për ngritjen e një “Republika Srpska” edhe në territorin e Kosovë, por vetëm me emër të kamufluar, jo si "republika" por si “Zajednica Srpska”.
Kanë kaluar mese 3 vite e gjysmë, qysh kur ish kryeministri atëhershëm i Serbisë dhe presidenti aktual serb Aleksandër Vuçiq, menjëherë pas zgjedhjes në postin e të parit të shtetit, është zotuar publikisht, se politika e tij,do të orientohet në zgjerimin e ndikimeve ekonomike për krijimin e një “zonë të lirë”, të tregtisë, për Serbinë,në pjesën më të madhe të ish-Jugosllavisë dhe Ballkanit Perëndimor, si qëllimi i tij më i rëndësishëm që Serbia ta shtrij ndikimin e saj në rajon dhe dominojë një treg prej rreth 20 milionë banorësh, ku siç deklarohej vet Vuçiq përfitimi për Serbinë nuk do të ishte vetëm ekonomik por edhe politik,gjë që me pranimin së fundmi edhe nga Kosova të “Mini-Shengenit, ëndrra e Vuçiqit, pothuajse u shndërrua plotësisht në realitet.
Ndaj me aq sa janë në dijeni shqiptarët, deri më tani është vërtetuar plotësisht se rëntgeni i z. Bugajski sidomos sa i takon diagnostifikimit të sëmundjes ngjitëse të të gjitha qeverive të Kosovës, si ndikimi i politikës së sofistikuar të Serbisë nga e cila tash e mbi 21 vite, asnjëra nga to, nuk po arrin të çlirohet as shërohet, gjithmonë ka qenë zbuluesi më i saktë dhe paralajmëruesi më i mirë, por që megjithatë edhe përkundër paralajmërimeve me kohë dhe përshkrimit të recetave specialistike, udhëheqja kosovare, pothuajse asnjëherë nuk ka marrë mësim sa duhet dhe as gjet shërim të mjaftueshëm nga manipulimet e politikës hegjemoniste serbomadhe. Siç dihet tanimë publikisht, pas dështimeve të Millosheviqit i cili të gjitha luftërat e viteve të 90-ta, i zhvilloi dhe udhëhoqi vet në emër të ish federatës jugosllave, për zgjerimin e territoreve serbe dhe formimin e Serbisë së madhe, me gjithë okupimin e mbi gjysmës së territorit boshnjak dhe krijimin e entitetit artificial serb në mbi 51% të tokave të ish Bosnje e Hercegovinës, luftërat tjera nga Sllovenia deri në Kroaci dhe Kosovë, ai i humbi.
Ndaj paralajmërimi i njohësit të zhvillimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe anëtarit të lartë të Qendrës për Analiza dhe Politika Evropiane në Uashington, Januz Bugajski,është jo vetëm serioz por edhe tërësisht i saktë dhe shumë alarmues, sidomos për Kosovën, i cili në një shkrim autorial ia ka bërë një ‘rëntgen’ të mirëfilltë strategjisë perfide dhe planeve mbizotëruese fillimisht tregtare të Vuçiqit për rajonin, specifikisht për Kosovën, Bosnjën e Hercegovinën dhe Malin e Zi, mbi të cilat ka, jo vetëm synime ekonomike por edhe pretendime të hapura territoriale. Madje z.Bugajski bazuar në faktet autentike, deklaron se me ardhjen e Vuçiqit në pushtet është ringjallur serish edhe projekti për “Serbinë e Madhe”, jo më me luftë si pararendësi i tij, Millosheviqi, por me kombinimin e shpërndarjes së dozave të baraspeshuara të kërcënimeve ndaj Bosnjë Hercegovinës, Malit të Zi e Kosovës dhe masave të ndërmarra për dominime tregtare në të tri këto shtete, si ekonomia, me të cilat sidomos viteve të fundit ka korr në vijimësi suksese të pamohueshme, duke shtri ndikimin në gjithë rajonin, Vuçiqi dhe Serbia.
Kështu që edhe z.Bugajski sqaron me argumente se kreu aktual i shtetit serb, Aleksandër Vuçiq, tanimë po përdor në mënyrë shumë të efektshme një strategji më ndryshe nga ajo me të cilën ishte shërbyer mësuesi shpirtëror i tij, Sllobodan Millosheviqi,si lufta e viteve të 90-ta, me të cilën, ai vërtetë serbizoi pjesën më të madhe të Bosnjës dhe arriti ta shndërroj me zjarr e hekur, mbi 51% të ish territorit të saj, në një entitet artificial të ashtuquajtur "Republika Srpska", por humbi luftërat në Slloveni e Kroaci, dhe me ndërhyrjen e NATO-s edhe në Kosovë. Ndaj siç dokumenton z.Bugajski fushata aktuale e Vuçiqit, tani operon përmes tre parametrave shumë perfid strategjik,si: durimi, fleksibiliteti dhe fshehtësia, përmes të cilave edhe nëse “Kosova nuk mund të rigëlltitet serish nga Serbia, sepse nuk ka përkrahje ndërkombëtare për një kthim të këtillë dhe popullsia shqiptare është e vendosur të mbesë e pavarur, ai me politikat e tij, përmes të ashtuquajturave "bisedime", duke i shtyrë ato, me stilin"Tërhiq e mos shkëput" deri në pafundësi, nuk do ta lë Kosovën të ecë asnjë hap përpara as ta rrumbullakësoj ndërtimin e shtetësisë.
Madje siç sqaron z.Bugajski edhe debatet për ndarjen dhe shkëmbimin e territoreve nuk kanë qenë të sinqerta por vetëm një nga mënyrat më të efektshme për ta larguar vëmendjen ndërkombëtare nga Kosova, bllokimin e njohjeve të reja,tërheqjen e dhjeta njohjeve të proklamuara më parë, si dhe nxitur konflikte brenda për brenda udhëheqësish kosovare, duke i shtyrë ato, që në vend se të merren me Kosovën, të kacafyten ndërmjet vete, ngase qëllimi i Serbisë, ka qenë dhe mbetet, që ta shtyjë pafundësisht marrëveshjen përfundimtare dhe ta mbajë Kosovën sa më gjatë në gjendje të paqëndrueshme dhe të pasigurt për të ardhmen e saj, duke arritur me sukses ta paraqesë vendin tonë para botës, edhe si shtet të dështuar. Për aq më tepër, një Kosovë e dobët dhe jo stabile, siç thotë me të drejtë z.Bugajski, ia mundëson Serbisë së Vuçiqit edhe rritjen e ndikimin në rajon, siç është pikërisht projekti i "Mini-Shengenit" serb,apo "Mini-Jugosllavia" e Aleksandër Vuçiqit, shtegu më i sigurt neper te cilin Serbia, provon ta realizojë këtë objektiv të kahershëm hegjemonist, të cilin delegacioni i Kosovës, jo vetëm që e nënshkroi pa asnjë hezitim në Uashington, por edhe pa u kujdesur fare,mbi pasojat afatgjata që do të ketë Kosova,pas fushatës zgjedhore të Presidentit Trump në SHBA që përfundon në nëntor.
Mjerisht e gjitha kjo mendjelehtësi, po bënë që të sfidohet shumë lehtë dhe parikuperueshëm politika adoleshente dhe e pa vetëdijshme kosovare nga veprimet e tilla tinëzare të Beogradit, duke mos pasur të hartuar e as të akorduar, asnjë strategji të vetme veprimi, për ballafaqim të suksesshëm në dialog me Serbinë por vetëm duke pritur agjendat dhe aktivizimin e temave ad-hok, që propozohen aty për aty nga ndërkombëtarët, gjë që, siç ka dëshmuar edhe përvoja e deritanishme nga negociata të tilla, humbës gjithnjë ka dal delegacioni i shtetit tonë, si dhe është dëmtuar vazhdimisht vetëm Kosova.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".