Na priftë e mbara!

Na priftë e mbara!
Na priftë e mbara!

Florim Zeqa

  • 01 January 2021 - 15:23

Duke ju uruar të gjithëve fillim të mbarë në vitin 2021, po e fillojë shkrimin e parë në  vitin e ri kalendarik me të gjitha problemet dhe brengat e vitit paraprak pandemik dhe politik, me shpresën për ngjizjen e një alternative të re politike, si domosdoshmëri e kohës për zgjidhjen e shumë problemeve të akumuluara ndër vite e dekada.

Me qenëse është shkrimi i parë në vitin e ri zgjedhor, me parti dhe figura të vjetra politike, adresimin tim të parë do t'ua kushtoj qytetarëve të dashur të vendit tim, elektoratit kosovarë, e në veçanti votuesve të rinjë të cilët do të votojnë për herë të parë.

Veprimi i parë politik në vitin që sapo kemi hyrë është caktimi i datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme, veprim ky i cili i hapë rrugën fushatës legale zgjedhore, në të cilën partitë ekzistuese të skenës parlamentare do ta synojnë kreun e ekzekutivit të vendit, postin e presidentit apo poste tjera të larta si; ministra, zv. ministra, këshilltar apo staf politik dhe diplomatik nëpër ambasada dhe konsullata.

Në mungesë të një alternative të re politike, zgjidhja më e mirë do të ishte bojkotimi total i procesit zgjedhor. Por meqë një gjë e tillë është e pamundur të ndodhë, atëherë, secili qytetar i vendit le të vendosë për të ardhmen e tij në shtetin e Kosovës.

Jo pa të drejtë në gjuhën politike thuhet "vota e sovranit", për arsye se vota duhet të jetë e lirë dhe e pandikuar, pa emocione dhe pa inate personale apo politike, por me vetëdije dhe besim të plotë për kandidatin që votohet.

Secili subjekt politik do të mundohet të përpilojë listën më të mirë zgjedhore, me emra të besueshëm dhe kredibil për elektoratin.

Sikurse në zgjedhjet e deritanishme do të kemi emra të rinjë në listat zgjedhore, si dhe do të kemi votues të rinjë që për herë të parë dalin para kutisë së votimit!

Po ashtu nuk do të mungojnë as nismat e reja qytetare dhe kandidatët e pavarur për deputet. Pikërisht tek nismat e reja dhe kandidatët e rinjë për deputet ekziston shpresa e ndryshimit politik, por jo tek nismat e reja me politikan të vjetër, të ricikluar në format të ri politik.

Si pasojë e luftës mes grupeve të interesit brenda sojit (partisë) është bërë traditë në Kosovën e pasluftës që të lindin "nisma" politike, të cilët përveq ndarjes nuk sjellin asnjë risi dhe asnjë të mirë në skenën politike.

Së paku deri më tani, të gjitha nismat e dalura nga partitë ekzistuese kanë qenë të destinuara të dështojnë. Si pasojë e dështimit të nismave jo të shëndosha (produkt i egove për pushtet), bartësit e tyre, përveq humbjes së imazhit politik, të kthimit të paterica politike, e kanë humbur edhe dinjitetin njerëzorë, nuk ju beson më askush!

Prandaj, thirrja ime e vazhdueshme për ngjizjen e një alternative të re politike është e bazuar në fakte dhe argumente të pakontestueshme; ku është sot LDD-ja e Nexhat Dacit (LDK), ku është sot NISMA e Fatmir Limajt (PDK), ku është sot grupi i PSD-istëve të Shpend Ahmetit (LVV), ku është sot ALTERNATIVA e Mimoza Kusarit (AKR)!?

Të gjitha këto nisma janë shuar ose janë në shuarje e sipër, kurse bartësit e tyre janë kthyer në paterica të partive të mëdha dhe të vogla politike, ku si pasojë e kësaj elektorati i zhgënjyer i është kthyer sërish gjenezës së vet politike.

Fatin e njëjtë, e ndoshta më të hidhur se kaq do ta ketë edhe "nisma" e zonjes Vjosa Osmani, e cila një vit më parë kishte thënë se, fati i saj politik është i lidhur me Lidhjen Demokratike të Kosovës, kurse sot për ambicie personale po e bën të kundërtën e saj!

Ndryshimi politik në vendin tonë nuk do të vie asnjëherë me këto parti të konsumuara dhe as me riciklime politike të figurave të vjetra politike.

Kosovës i duhet një fillim i ri politik, me figura të reja, jo për nga mosha, por për nga kyqja në politikë, me intelektual dhe veprimtar të dëshmuar në rrugën e gjatë të lirisë dhe pavarësisë së vendit tonë, të cilët janë të gatshëm për të dhënë gjithçka nga vetja e tyre për të ardhmen e vendit dhe qytetarëve, pa e llogaritur asnjëherë interesin apo mirëqenjen personale.

Na priftë e mbara në rrugën e ndryshimit politik!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".