Krerët e shtetit të Kosovës sillen si kalamaj të frikshëm, heshtin para zbulimit të së vërtetës së krimeve serbe nga vetë kriminelët e luftës

Krerët e shtetit të Kosovës sillen si kalamaj të frikshëm, heshtin para zbulimit të së vërtetës së krimeve serbe nga vetë kriminelët e luftës

Gani Qarri

  • 08 January 2021 - 07:41

Shkruan: Gani Qarri

Po të ndodhte një aferë e tillë apo e ngjashme me liderët politik të Kosovës, Serbia do ta informonte edhe Këshillin e Sigurimit dhe do të ishte bërë lajm ekskluziv në të gjitha mediat botërore, duke u sponsorizuar nga vetë politikanët serb, ndërsa liderët tanë politik dhe krerët e shtetit të Kosovës sillen si kalamaj, sikur kjo punë të mos kishte fare të bënte me shqiptarët e vrarë nga njësitë vrastare serbe, të cilët tanimë e kane rregulluar jetën e vet dhe po bashkëjetojnë të rrethuar prej dhjetëra milionave euro, të vjedhura po nga xhepat e këtij populli të varfër, për vuajtjet dhe sakrificat e të cilit, dinë vetëm të heshtin!

-Se presidenti serb Aleksandër Vuçiq ishte dhe mbeti një kriminel i dëshmuar dhe mbështetës i përhershëm besnik i gjenocidit mbi shqiptarët e Kosovës e vërtetojnë edhe deklaratat e tij, gjatë vizitës që para pak më tepër se dy vitesh, i pati bërë Veriut të Kosovës, i cili me fjalimet e mbajtura, jo vetëm mbështeste por edhe lartësonte personalisht, ish shefin e tij, Slobodan Milosheviq, duke na dëshmuar se përpjekjet e dështuara të Millosheviqit, vet Vuçiqi ëndërron ti bëjë realitet.

Madje përderisa ish-pjesëtari i shërbimit të fshehtë serb dhe tani kolonel i MUP-it të Serbisë, Sllavko Nikiq i cili jo vetëm ka jetuar në Prishtinë, por gjatë luftës në Kosovë ka përdorur edhe uniformën e UÇK-së për të vrarë shqiptar, tmerrin dhe gjenocidin e shkaktuar si dhe luftën kriminale të Millosheviqit për shfarosjen e shqiptarëve të pambrojtur në Kosovë, vet Aleksandër Vuçiqi e quajti edhe luftë të ndershme, duke treguar hapur se mendësia e tij, është po ajo e kohës së Millosheviqit, e cila as që ka ndryshuar fare dhe vetëm pret momentin e përshtatshëm për ri-okupimin e Kosovës Por megjithëse përkundër të gjitha vështirësive, aso kohe populli i Kosovës u ngrit kundër okupimit serb dhe me ndihmën e aleatëve çliroi vendin si dhe dëboi Serbinë nga trualli i shtetit tonë, tani habit fakti se si ka mundësi të sillen krerët e shtetit tonë, si shurdhmemec dhe të mos reagojnë fare ndaj aferës së akuzave që së fundi kanë shpërthyer ndërmjet Presidentit serb Aleksandër Vuçiqit dhe ish pjesëtarit të MUP-it serb Slavko Nikiqi, për përfshirjen e tyre të drejtpërdrejtë në krime dhe gjenocidin barbar serb kundër popullatës së pafajshme shqiptare në Kosovë gjatë viteve të luftës 1998-1999.

Ata tani jo vetëm që flasin hapur për gjenocidin e ushtruar shtetëror mbi shqiptarët në Kosovë, por vetëm pesë-gjashtë ditë më parë Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe MUP-ovci Slavko Nikiq pjesëtar i lartë i MUP-it serb akuzonin publikisht njëri-tjetrin për krime lufte ndaj popullsisë civile shqiptare dhe përkundër të gjithave çuditërisht ende nuk ka asnjë reagim të vetëm nga institucionet shtetërore në Kosovë. Pushtetarët e tanishëm aksident të vendit, heshtin pa fije turpi, njëjtë siç heshtnin Hashim Thaçi me shokë, edhe me rastin e fjalimeve kërcënuese të Aleksandër Vuçiqit në shtatorin e vitit 2018,kur në veri të Mitrovicës ai deklaronte se “Milosheviqi ishte lider i madh serb dhe qëllimet e luftës së tij, ishin të mira, përkundër faktit që krimineli Millosheviq ishte i akuzuar për gjenocid dhe krime lufte edhe nga Bashkësia Ndërkombëtare.

Për aq më tepër, megjithëse tanimë e vërteta ka filluar të dal hapur në sipërfaqe nga vetë ish aktorët kriminal te regjimit okupator serb madje edhe aktualisht, aktiv në jetën politike dhe të sigurisë në Serbi, brenda vet kabinetit të presidentit Vuçiq, në Kosovë heshtet për çdo gjë, sikur të mos kishte, kjo të bënte fare me popullin e këtij vendi, bijtë e të cilit që nga lufta , ende mbahen peng edhe për së vdekuri nga vet Aleksandër Vuçiqi atëbotë ministër i informatave në qeverinë e Millosheviqit, kurse sot president aktual i këtij shteti ish okupator antishqiptar shovinist. Për aq sa dihet në opinion, në kuadër të shtabit të përgjithshëm ishte edhe ish “shefi i SHIK-ut” gjate kohës se luftës, si dhe pas luftës deri ne ditët e sotme, ndaj edhe pse shefi i ish-SHIK-ut tani gjendet ne Hage, shtrohet pyetja , pse nuk flasin e shkruajnë zëvendësit e ish-Shefit te SHIK-ut qe ende janë në liri, se kanë apo s`kanë ata informata se kush ishin “jatakët” dhe bashkëpunëtorët shqiptar të okupatorëve serb, të cilët u mundësonin atyre qe te vrasin shqiptaret pa asnjë therë në këmbë!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".