Diaspora e betuar për ta ndëshkuar klasën politike për dy dekada të korruptuar

Diaspora e betuar për ta ndëshkuar klasën politike për dy dekada të korruptuar

Gani Qarri

  • 26 January 2021 - 07:44

Shkruan: Gani Qarri

Duke u konfrontuar me zhvillimet më të reja drakonike në vend, të cilat besojë se janë shqelmat e fundit të krimit të organizuar, mbi 21 vjeçar, për herë të parë në Kosovën e pas luftës, vërehet një mobilizim i elektrizuar, jo vetë brenda por edhe jashtë vendit për votën e ndryshimeve nga qytetarët, si dhe interesimin e përmasave më të mëdha të diasporës që të bëhet pjesë e procesit elektoral në shtetin e vet, e motivuar në mënyrë kulmore, me vullnetin e zjarrtë për ndryshime demokratike edhe në atdheun e kapur nga mafia politike dhe krim i i organizuar. Përkundër të gjitha pengesave të ngritura artificialisht nga zonja Daka dhe anëtarët e inkriminuar të KQZ si Sami Hamiti, i burgosur vetëm pak vite më parë, për korrupsion dhe keqpërdorime të detyrës zyrtare, të cilët tani " vendosin" mbi ligjin se kush dhe si mund të votojë, sipas Burim Ahmetaj-t, kryeshef i sekretariatit të KQZ-së, vetëm nga diaspora, ka mbi 134 mijë email-a ende të pahapura, që kanë aplikuar për të votuar në zgjedhjet e 14 shkurtit, dhe deri më tani, nga 15 mijë e 672 aplikues, të kontaktuar me telefon, 13 mijë e 72 aplikues.

-Mjerisht në Kosovë si në asnjë shtet tjetër demokratik të botës, edhe mbi 21 vite, nga paslufta, prej 28 partive që kanë aplikuar për certifikim në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, hiq më pak se mbi gjysma, apo shprehur në numra, rrafsh 15 prej tyre, janë paraqitur me kandidatë të dënuar, që është në kundërshtim të plotë me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e përgjithshme në vend.

Partitë e inkriminuara tash e mbi dy dekada me radhë, njëjtë si në vendet më të njohura për kartelet e stërmëdha të drogës nga Amerika Latine, edhe sot e kësaj dite vazhdojnë zanatin e tyre të vjetër duke participuar në zgjedhjet parlamentar me persona, jo vetëm nën procedura hetimore, por edhe të dënuar me vendime të plotfuqishme gjyqësore, për korrupsion dhe krim të organizuar, në mesin e të cilëve, përveç hajnisë dhe inkriminimit në krim të organizuar, kanë mbytur edhe njerëz në komunikacion.

Madje për t`ia qitur tërësisht faqen e zezë shtetit të Kosovës, para gjithë botës, për t`i turpëruar miqtë tanë më të mirë anë e mbanë globit dhe gëzuar deri në infinit, armiqtë më të përbetuar të këtij vendi, partitë e specializuara për zhvillimin e krimit të organizuar, përhapjen e nepotizmit dhe thellimin e korrupsionit, hajnisë dhe zhvatjes klandestine familjare, klanore dhe partiake, përkundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese, serish kanë kandiduar për postet e deputetit, jo me një a dy, por me nga 8 deri në 10, apo edhe me më tepër kandidatë të dënuar, duke arritur numri i kandidatëve të kundërligjshëm në hiq më pak se 47 të inkriminuar, të deleguar për deputet në legjislativin e vendit.

Madje me gjithë deklarimin e KQZ-së, se të 47 kandidatët e apostrofuar, të paraqitur në listat e partive vendore në KQZ, janë të dënuar me vendim të shkallës së prerë të Gjykatave, për vepra penale, në vend se të përshëndetej ky vendim, i cili është i pari i këtij lloji dhe përmase, që nga paslufta, çuditërisht në Kosovë, bëhet luftë e vërtetë nga partitë e inkriminuara, për futjen e të dënuarve edhe me dhunë në listat për deputet.

Ndaj duke pasur parasysh faktin se çfarë organi legjislativ gjithë vendor, mund të prodhohet me dhjetëra "deputet" të dënuar dhe të tjerë me precedencë penale, votuesi dhe të gjithë qytetarët e Kosovës, në këto zgjedhje të jashtëzakonshme, përfundimisht duhet të mobilizohen edhe më shumë, sidomos pas dallavereve të KQZ-së, që nuk veproi njëjtë për të gjithë, duke mos i përjashtuar nga e drejta për kandidim edhe të dënuarit e PDK-së, prijatares së të gjitha të këqijave, tash e mbi 20 vite, në vend.

Kjo e detyroi së fundmi edhe ushtruesen e detyrës së presidentit dhe ish kryetaren e Kuvendit të Kosovës zonjën Vjosa Osmani, që të lëshoi publikisht paralajmërimin se në rast nevoje, mund të detyrohet, të ndërmarr edhe masa ligjore ndaj KQZ-së, dhe vet zonjës Daka, kryetares së katapultuar nga kuislingu Hashi Thaçi, në krye të KQZ-së, në mënyrë që, ta mbrojë integritetin e këtij institucioni shtetëror.

E në mënyrë që t’ia japin goditjen përfundimtare dhe më të madhe ndëshkuese politikës së kriminalizuar që për më tepër se dy dekada me radhë, kriminalizoi çdo gjë shtetërore, zhvati gjithë Kosovën dhe përvetësoi edhe dheun dhe malet me gurë të këtij trualli, duke mos u ngopur me asgjë, derisa varfëroi në shkallën më drastike shtetin tonë të brishtë dhe dëboi qindra-mijëra shqiptar nga vendi, gjë që nuk ka ndodhur as gjatë kohës së okupimit nga Serbia, është momenti vendimtar, për ti dhënë goditjen shkatërruese politikës kriminale dhe mafioze, që të çlirohet përfundimisht Kosova prej tyre.

Ndërsa përveç goditjes së krimit të organizuar, është koha e fundit për ti dhënë edhe një shans alternativës se re politike të LVV-së, me shpresën se prijësit e saj, pas rrëzimit të parë, tanimë kanë marrë mend, dhe nuk na vijnë më të veshur me kollare, për të kamufluar misionin e tyre fetar dhe defiluar para publikut si islamist, por si ministra dhe shtetar të Republikës së Kosovës, për të cilët vendi tash e mbi një dekadë ka shumë nevojë.

Me këtë rast, do të shkërmoqej kasta e kriminalizuar dhe do ti ndihmohej edhe iniciativës politike të dr. Vjosa Osmanit, për t’i prirë vendit dhe sprovuar në mandatin që kemi përpara, pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, e cila u terrorizua dhe po vazhdon të terrorizohet në mënyrën më makabre, nga “letreqë” brithyer e të plakur të LDK-së, të cilët po dëshmojnë hapur, se përveç frikës nga SHIK-u, nuk njohin asnjë kufi etik dhe moral.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".