Vetëm kështu ripërtërihet dhe forcohet fryma rugoviste e institucionaliste e LDK-s
Skender Kapiti
Shkruan: ANALIST- Skënder Kapiti
-LDK-ja e reformuar duhet të punojë për t’ia kthyer vetes lavdinë e dikurshme, atë të Ibrahim Rugovës. Këtë lavdi ajo duhet të fillojë për t’ia kthyer vetes edhe tani që është në opozitë, dhe me këtë do të kthehet edhe besimi e shpresa e anëtarëve të saj si dhe shpresa e besimi i publikut për funksionimin e shtetit ligjor, të legjitimitetit demokratik, të proceduralizmit kushtetues dhe si përshpejtim drejt integrimit evropian.
Tashmë LDK-ja , kryesia e re dhe e reformuar duhet të kontribuojë fuqishëm , pasi mjaft më Kosova ka humbur kohë dhe mbeti prapa në rrugën e shtet ndërtimit modern dhe të integrimit.
LDK-ja duhet të marrë përsipër rolin e madh politik pavarësisht se është në opozitë, pasi edhe opozita është një ndër dy komponentët kryesorë të sistemit baras me pozitën. LDK-ja ka mundësitë, sepse ajo ka aftësitë dhe personalitete e kapacitete intelektuale më shumë se partitë e tjera në Kosovë për ta bërë ndryshimin jo vetëm brenda vetës së saj, por edhe për të ndryshuar, përmirësuar e konsoliduar demokracinë në Kosovë pasi si demokracia ashtu edhe shteti janë marrë peng nga autokracia, korrupsioni, nepotizmi dhe hajnia.
Sot kontributi që fillimisht duhet të japë LDK-ja është ai për konstituimin e institucioneve të shtetit, Parlament, Qeveria e President duke njohur e respektuar kështu legjitimitetin e zgjedhjeve të 14 Shkurtit 2021 , dhe as sesi dhe në asnjë mënyrë duke mos u bërë palë me pjesën tjetër të opozitës destruktive dhe të politikës së vjetër të këtij tranzicioni në Kosovë.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".