Lexoni edhe:
Gjykatat e kapura nga krimi, luajnë në dekada ping pong me lëndët të pazgjidhura
Shkruan: ANALISTI- Gani Qarri
Shpresa e vetme e zbulimit të mega plaçkitësve të buxhetit të shtetit për me tepër se dy dekada në të kaluarën e deri më sot, ka mbetur vetëm tek miratimi në Kuvend i planit të Qeverisë së re, për hetimin e personave të dyshuar dhe zbatimit rigoroz të ligjit për konfiskimin e pasurisë së pa justifikueshme, një ligj ky i mirëpritur dhe shumë i kërkuar, i cili deri më tani ishte bllokuar qëllimisht nga qeveritar të lart të kriminalizuar, nëntoka kriminale dhe mafia-politike vendore, e që të gjitha bashkë, përfundimisht, tanimë duhet të marrin dënimin e merituar nga drejtesia e re.
-Pas marrjes së legjitimitetit masiv nga shumica dërmuese e popullit të Kosovës, Qeveria e re në krye me kryeministrin Kurti, e ka për obligim moral e ligjor, ta inkurajojë me të gjitha format dhe mënyrat drejtësinë vendore me mbështetje shumë më të madhe e të fuqishme politike e ligjore, se deri më tani, për t’i hetuar dhe nxjerr sa më parë, para drejtësisë të gjithë qeveritarët e inkriminuar deri në fyt. Ata të cilët mbi dy dekada, abuzuan pa fije turpi me shtetin, keqpërdorën në të gjitha mënyrat detyrën zyrtare dhe zhvatën e plaçkiten pa fije mëshire buxhetin e vendit në format më perfide të veprimit duke mbijetuar plot 21 vite të pa prekur kurrë nga ligji dhe drejtësia inekzistente dhe selektive në vend.
Gjykatat e kapura nga krimi, luajnë në dekada ping pong me lëndët të pazgjidhura Lexoni edhe:
Madje Qeverisë së re të Kosovës dhe drejtësisë së ç’kapur të shtetit, nga korrupsioni, mafia politike dhe krimi i organizuar, më së miri mund tu shërbejë shembulli i Mbretërisë së Bashkuar ku Kryeministri britanik, Boris Johnson, vetëm për rreth 15 mijë paund apo një shumë fare simbolike e shpenzimit të jashtëligjshëm, në krahasim me keqpërdorimet e qeveritareve në Kosovë, edhe nga pozita e kryeministrit të vendit, u vendos menjëherë nën hetim nga Komisionari Parlamentar për Standardet, që kishte të bënte me një udhëtim të kryeministrit me partneren e tij në Mustique qysh në fund të vitit 2019 në prag të zgjedhjeve dhe fitores së tij të përgjithshme.
Duhet vepruar e hetuar urgjentisht secilin shpenzim që është bërë në të kaluarën nga njerëzit e pushtetit të inkriminuar. Kjo duhet të ndodhë me urgjencë sidomos kur të merret parasysh fakti i mosveprimit të prokurorisë dhe gjyqësisë së kapur kosovare për mbi 21 vite me radhë, as për zhvatjet e pa asnjë limit të pushtetarëve dhe familjarëve të tyre në Kosovë, që nuk ua di kush fundin as fillimin, e që vazhdojnë të ndodhin edhe sot, siç ishte rasti i vëllait të Hashim Thaçit, Gani Thaçi i cili pareshtur, ka marrë para të majme edhe pas pensionimit. Sipas një vendimi mbi Raportin e Ekzaminimit nga Byroja Kosovare e Sigurimeve, të cilin e publikuan mediet ditë më parë, brenda vetëm 6 muajsh pas pensionimit, për habi, ai mori nga BKS, hiq më pak se mbi 176 mijë euro, para të taksapaguesve të varfër të Kosovës, gjë nuk i lë më vend, asnjë forme të heshtjes, por obligon Qeverinë e re, për veprim urgjent dhe adekuat ndaj secilit individ dhe institucion përgjegjës.
Për aq më keq, përkundër keqpërdorimit masiv, mafioz e ekstravagant dhe tërësisht kavalieresk të parasë publike në Kosovë nga partitë e inkriminuara politike dhe ish qeveritarët e kriminalizuar deri në fyt, me shuma disa dhjetëra milionëshe, tash e mbi 21 vite, ata nuk i kanë dhënë llogari askujt, madje megjithatë prokuroria as gjyqësori nuk kanë vepruar pothuajse në asnjë rast në mënyrë adekuate, sidomos kur bëhej fjalë për emra politikanësh dhe figura të larta shtetërore e politike. Kështu që, Qeveria e re duhet ta aktivizojë urgjentisht një VETTING rrënjësor dhe të gjithanshëm, që nga prokuroria e gjyqësori, deri te policia dhe vet administrata komunale dhe shtetërore.
Përndryshe është e pamundshme të kuptohet se si në Kosovën e vogël e me buxhet kaq të ulët, funksionar e politikan të kriminalizuar, vetëm për një mandat në pozitë të lartë udhëheqëse të shtetit, Presidencë, kryeministri, ministra e zëvendësministra, madje edhe vëllezër e kushërinj, si dhe vet këshilltarët e tyre të bëhen milionerë e biznesmen brenda nate sikur të kishin fituar në "Loto" dhe askush të mos merret në përgjegjësi. Të mos hetohen as kontrollohen aktorët as mënyrat e tyre "speciale" dhe rrugët tërësisht konspirative, të krijimit të pasurive të tilla marramendëse, e të kundërligjshme në shuma multi-milionëshe nga njerëz të kriminalizuar të politikës dhe nëntokës kriminale e mafioze në vend, siç ka ndodhur tash e mbi dy dekada në Kosovë, kjo tejkalon çdo formë fantazie dhe është tërësisht e pa pranueshme.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".