“Shuplaka” e Hashimit nuk të bën ambasador!
Prof. Dr. Mehdi Hyseni
Barometri diplomatik
Shkruan: Prof.Dr.Mehdi HYSENI
*** O, Gjergj Dedaj, kot e ke (mos na bërë horë para sllavomaqedonëve dhe para botës), mbledhi çaklat, braktise ambasadën, kthehu në shtëpi dhe kërkoi falje publikisht presidentes shqiptare të Kosovës (sepse ajo, në asnjë aspekt nuk është si Milosheviqi, siç e ke krahasuar idiotikisht dhe çmendurisht; nuk është “ e kontrabanduar” (sepse nuk ka dalë nga Zarfi i Hashimit-Isës-Pacollit), as “e shantazhuar”, as “kriminele”, as “arbitrare, as “antihumane”, as “antidemokratike”, kur dihet se në zgjedhjet e fundit parlamentare të Kosovës pati fituar mbi “300.000 mijë vota”, ishte ndër më të votuarit; nuk është abuzuese e ligjit dhe as e Kushtetutës. Përkundrazi, kjo është Presidentja e parë që zbaton Kushtetutën e Kosovës.
-Kutpo Gjergj Dedaj, ish-ambasador, shuplaka e Hashim Thaçit nuk ka efekt magjik, që të bëjë ambasador profesional (për më tepër nëpunës të përjetshëm të Qeverisë së Kosovës), sepse së pari, duhet kryer ABETARJA (ABC-ja) e shkencës së diplomacisë dhe e marrëdhënieve politike ndërkombëtare. Ti (por jo vetëm ti, por edhe shumë të tjerë, madje edhe me shkollë të mesme dhe me zanate të zejeve të ndryshme) këtë “pajë” të domosdoshme nuk e posedon as de fakto e as de jure , pavarësisht sesa dhe, si ke luftuar për Lirinë e Kosovës. Ajo është temë tjetër, nuk ka lidhje kauzale me postin e ambasadorit apo të konsullit, apo të ministrit të jashtme, në kohë paqeje. Kush ta ka garnatuar ty postin e "përjetshëm të ambasadorit" ?! -Askush ! -Prandaj, pajtohu me vendimin e shkarkimit, ashtu sikurse të gjithë ambasadorët e tjerë.-Mos u mundo ta imitosh heroizmin e Gjergj Kastriotit, sepse aty nuk je në kurrfarë misioni historik të luftës së Skënderbeut, por në rolin e një ambasadori, që prezanton dhe përfaqëson interesat vitale të Republikës së Kosovës.
Heroi dhe arkitekti i pavarësisë së Kosovës, i ndjeri Adem Demaçi, tërë jetën e tij luftoi për lirinë e Kosovës, por, asnjëherë nuk shkroi, nuk reagoi dhe nuk u katandis sikurse Gjergj Dedaj, se,- unë kam meritat kryesore të jem ambasador, kryeministër, president a deputet i Kosovës !
Mendoni thellë, o pushtetarë të mjerë, se nuk keni luftuar, nuk keni derdhur gjak, nuk keni dhënë dëshmorë dhe, nuk keni sakrifkuar vetëm ju, por mbarë populli i Kosovës, o derbederë, që nuk u ngopët kurrë qe 20 vjet të zeza. Popullin e keni shndërruar vetëm në Sistemin Periodik të Dimitër Mendjelevit për t'ia grabitur dhe vjedhur votat, që sa më gjatë të qëndroni në pushtet dhe ta shfrytëzoni popullin e shkretë, të cilin e keni sjellë buzë geminës sociale, materiale dhe shpirtërore...
Nga kjo lind pyetja e logjikshme, pse ti Gjergj paske luftuar, që me çdo kusht të bëhesh ambasador, ministër, zëvendësministër, apo ndonjë udhëheqës tjetër i përjetshëm në shtetin e Kosovës?
Nëse është kështu, atëherë paske luftuar vetëm për interesin tuaj personal egoist, jo për interesin e përgjithshëm të Kosovës, por vetëm për veten tënde, që patjetër të bëhesh ministër apo ambasador në kohë paqeje?! -E, të tjerët përse paskanë luftuar, Gjergj, "me i ra kavallit, a ?"
-E, çfarë të themi për familjen 56 anëtarështe të kryeheroit-Xhorxh Uashingtonit të Kosovës, Adem Jashari, për çfarë ka luftuar ajo, që në kohë paqeje, dikush prej anëtarëve të saj të mbijetuar, me çdo kusht të bëhej ministër, kryeministër, ambasador i Kosovës ?
-Jo gjaku i tyre është derdhur si lumë vetëm për interesin e përgjithshëm të Kosovës, të kombit dhe të atdheut shqiptar për të jetuar të lirë dhe të bashkuar nën çatinë e përjetshme të Shqipërisë Etnike, jo për t’u bërë ambasador me çdo kusht, duke u kalbur në kolltukun e përjetshëm të pushtetit, ashtu siç dëshmuan Dedaj me miqtë e tij, siç ishte Hashim Thaçi etj. pas pavarësimit të Kosovës. Këta gjithëçka-para-pushtet-pasuri dhe luks, ndërsa shumica dërrmuese e popullsisë pa bukë, të varfër, të papunë, pa strehë mbi kokë, duke e braktisur Kosovën përditë për në dhera të huaja për një copë bukë,për një strehë dhe për një mbijetesë ekzistenciale "më mirë refugjat të gjallë" nëpër botë sesa "refugjatë të vdekur" në atdhe.
-Fatkeqësisht, qëkur është pavarësuar Republika e Kosovës (17 shkurt 2008) e deri më sot (2021), asnjë nga Familja e Adem, Hamzë dhe Shaban Jasharit nuk është emëruar ambasador, ministër i Jashtëm, Kryeministër ose President i Kosovës, edhe pse kjo familje ka meritat më të mëdha për çlirimin dhe për pavarësimin e Kosovës.
Mirëpo, asnjëri nga familja e Bacës Rifat, nuk doli të ankohej, të rebelohej, të kërcënohej dhe të çmendej sikurse Gjergj Dedaj, i cili pas shkarkimit nga posti i ambasadorit reagoi sikur vërtet ta kishte sulmuar Slobodan Milosheviqi apo ndonjë kriminel i tij, duke e ofenduar, poshtëruar dhe krahasuar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani vetëm pse ajo në mënyrë ligjore dhe kushtetuese (me dekret) shkarkoi 12 ambasadorë politikë nga MPJ-së së Kosovës.
Ky është një skandal i vrazhdtë, që nuk ka asnjë lidhje as me politikë, as me diplomaci, as me drejtësi, as me kombëtarizëm.
Prandaj, z.ish-ambasador Gjergj Dedaj, mos e merr fare fatale shkarkimin tuaj nga posti i ambasadorit, sepse “shuplaka” dhe nënshkrimi i dekretit të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi që të ka emëruar ambasador në Shkup të Maqedonisë Veriore (2018) nuk kanë afat parashkrues (si bie fjala krimet e gjenocidit, ndëshkimi i të cilave nuk ka afat të caktuar ligjor sipas së drejtës ndërkombëtare) e as karakter garantues të përjetshëm
Në një shtet normal të së drejtës, ku të gjithë janë të barabartë, vendi-pozitën e ministrit të jashtëm, të zëvendësit të tij, të ambasadorëve, të konsujve, të drejtorëve deri stafi i protokollit diplomatik, ligjërisht, duhet të jenë profesionistë nga fusha e diplomacisë, e politikës së jashtme dhe e drejtësisë, askush tjetër, sepse atëherë, vërtet, do të vinte në pikëpyetje pezullimi dhe paralizimi i instrumenteve dhe i mekanizmave funksionuese të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".