Kosova në dialog me fusnotën e Hashim Thaçit që e zbret në krahinë të Serbisë

Kosova në dialog me fusnotën e Hashim Thaçit që e zbret në krahinë të Serbisë

Gani Qarri

  • 31 May 2021 - 07:49

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Pikësëpari duhet cekur fakti se çështja kryesore dhe me rëndësi të veçantë për Kosovën është krijimi i kushteve për dialogim në pozita të barabarta me Serbinë dhe jo Kosova, të vazhdoj të nënçmohet dhe përulet si deri më tani me fusnotën e Hashim Thaçit dhe pozitën e krahinës, në të cilën ai e ka devalvuar Republikën e Kosovës, qysh nga fillimi i bisedimeve me këtë shtet okupator. Dhe vetëm pastaj vjen në rend koha.

Kalendari i takimeve, agjenda dhe temat e diskutimit të dialogut me Serbinë duhet të caktohen, pa iu imponuar Kosovës që të ulet në tavolinë si krahinë e Serbisë, ku e ka zbritur kuislingu Hashim Broja, qysh para 10 vitesh dhe të vijoj të bisedohet po në atë mënyrë, me këtë shtet arrogant e hegjemonist i cili e ka mbajtur gati një shekull nën pushtim Kosovën, vetëm për rregullimin e brendshëm të Kosovës e jo për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse e cila do të përfundonte me njohjen reciproke, ndërmjet të dy vendeve.

Përndryshe nuk di çfarë kuptimi mund të kenë këto bisedime dhe rifillimi i tyre, përderisa krimineli dhe ish ministri i kasapit Millosheviq, Aleksandër Vuçiqi deklaron hapur, për çdo ditë, se derisa të jetë ai president, Serbia nuk do ta njohë, kurrë Kosovën. Ndaj dhe lind pyetja se, nëse është kështu, atëherë pse u dashka ti bëhet Kosovës presion dhe të tentohet, ti imponohen njëanshëm bisedimet, apo vetëm për të hapur Serbia kapituj të ri, në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian. Kurse sa i takon sharlatanizmit të një pjese të spektrit politik, se a po nënçmohet dhe injorohet pesha e dialogut prej tyre, që po distancohet dhe nuk po tregohet bashkëpunues në raport me Qeverinë e re, realisht sikur të ndodhte kjo, vërtetë do të ishte krejt e kuptueshme, dhe pothuajse tërësisht në rregull, por çështja është se prapa kësaj loje meskine, mund të fshihen konspiracione të mëdha dhe lëshime të rrezikshme, që mund ti kenë bërë Thaçi dhe opozita e inkriminuar, për dhjet vjet rresht, në bisedimet me Serbinë.

Ndaj sot, me të drejtë ata druajnë fort, sepse me rifillimin e dialogut, do të zbardhen të gjitha prapaskenat e tmerrshme dhe me të kuptuar populli se çfarë të këqijash kanë mundur ti bëjnë partitë e inkriminuara, shtetit të vet dhe qytetarëve të Kosovës prapa shpine, nuk dinë më ku ta bëjnë vendin, as kërkojnë shpëtim, të cilët do ti ndëshkojë rëndë populli dhe ligji, si dhe do ti mallkojë historia përgjithmonë. Kurse Serbia dhe jo "Beogradi" sepse me gjithë insistimin e Vuçiqit, në bisedime nuk gjenden dy qytete të Serbisë siç pretendon ai, por dy shtete të pa varura, ndaj ajo ka hallet e veta, që lobon në baza ditore me qëllim për ta bindur faktorin ndërkombëtar mbi formulën ala-serbe, të arritjes së shpejtë të marrëveshjes mes dy vendeve, duke kërkuar që Kosova të bëjë kompromiset e turpit dhe vet shkatërrimit të shtetit të Kosovës, të premtuara e fatkeqësisht edhe të nënshkruara nga kuislingu Thaçi dhe jugokomunisti Isa Mustafa, kompromise që mundë të jenë tepër të hidhura dhe shumë të dhimbshme për Republikën e Kosovës.

Madje përkundër faktit që kuislingu Thaçi, ndryshonte përditë qëndrimet, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, godet gjithmonë në të njëjtën pikë, me shpresën se duke e përsëritur sa më shpesh tendencën e tij, të paktën pjesërisht ajo do të pranohet edhe nga faktori ndërkombëtar. Kështu që siç i tha së fundi edhe ambasadorit të Francës në Serbi, Jean-Louis Falconi, ai shprehet se është i gatshëm t’i përgjigjet ftesës për dialog nga Brukseli, për të gjetur një zgjidhje kompromisi, por kompromis në kurriz të Kosovës, të cilin po e pranojë Kosova, rrezikon edhe ekzistencën e vet të mëtejme shtetërore, qoftë duke krijuar një Republika srpska në Kosovë, të nënshkruar në mënyrë kundër kushtetuese nga Thaçi e Mustafa, apo edhe duke pranuar ndarjen, pas të cilave, cilado që të ndodhte, nuk do të mund të mbijetonte më si shtet.

Ndaj Qeveria e re me ndihmën e SHBA-ve dhe presidentit Biden, kur është në pyetje çështja madhore e shtetit dhe popullit të Kosovës, unitetin duhet ta kthej në kauzë dhe doemos të gjejnë pikat e përbashkëta për unifikim me opozitën e cila duhet të tregojë vullnet dhe përkushtim për këtë punë, apo uniteti i spektrit politik në vend, duhet edhe të imponohet nga vet administrata e SHBA-ve, për daljen e Kosovës si shtet i pavarur, me një qëndrim të përbashkët në këtë moment kaq vendimtar të dialogut me Serbinë.

Kjo kauzë është e patejkalueshme, sidomos tani në hapat final të bisedimeve me një shtet hegjemonist dhe agresor si Serbia, në mënyrë që të dal faqebardhë vet Kosova dhe të mos vije te zhgënjimi i aleatëve më të fuqishëm të Kosovës si SHBA-ve dhe Gjermanisë, kur dihet se të lodhur tash e dhjet vite me këtë proces të stërzgjatur, presioni për një marrëveshje të shpejtë, mund të rritet nga faktori ndërkombëtar, si ndaj Serbisë ashtu edhe ndaj Kosovës, pikërisht nga këto fuqi më ndikim kryesor edhe në rezultatin përfundimtar të bisedimeve.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".