Lexoni edhe:
Para politika e klaneve të inkriminuara po e mban peng tërë sistemin e drejtësisë në Kosovë!
Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri
Shkarkimi i Valdete Dakës nga pozita e kryetares së KQZ-së, përveçse ishte i drejtë dhe mese i nevojshëm, ky vendim ishte edhe një sinjal i fuqishëm i fillimit të rrënimit të kupolës së krimit të organizuar, të infiltruar e instaluar në procesin më të rëndësishëm të themelimit të institucioneve, krimit në zgjedhje dhe abuzimit të votës qytetare në vend.
Duke qenë se KQZ si njëri nga institucionet më të rëndësishëm kushtetues dhe shtetëror të vendit, ka kohë që nuk ka pasur paanësi të plotë politike dhe brenda tij, janë vërejtur ndërhyrje të vazhdueshme partiake, të cilat kanë cenuar edhe vendimmarrjen e drejtë e pa dallime, si dhe integritetin e vet këtij institucioni me rëndësi, pas ankesave të shumta dhe keqpërdorimeve të panumërta, përfshi favorizimin e serbëve jashtë Kosovës dhe padrejtësitë e vazhdueshme ndaj dhjetëra mijëra votuesve shqiptar të mërguar jashtë vendit, të cilat arritën kulmin sidomos në zgjedhjet e fundit nacionale, shkarkim i zonjës Daka nga presidentja Dr.Vjosa Osmani, megjithëse paksa i vonuar, ishte plotësisht i drejtë dhe mese i mirëseardhur, i cili do të ndikojë dukshëm në përmirësimin dhe mbarëvajtjen e vet procesit elektoral, sidomos në prag të zgjedhjeve lokale, që pritet të mbahen në vjeshtën e këtij viti, në vend andaj shkarkimi i saj, duhet të shërbejë tanimë edhe si motiv shtesë për daljen sa më masovike të qytetarëve në zgjedhje të lira, duke mos pasur më frikë nga tjetërsimi i mëtejmë i votës nga makineria kriminale e KQZ-së, derisa njeriu më përgjegjës i ngulitur aty nga SHIK-u ilegal dhe Hashim Thaçi nuk do të ketë më, mundësi abuzimi dhe lojë interpretimi sipas interesit të grupit të inkriminuar që përfaqëson për devijimin e votës dhe vullnetit të lirë të qytetarëve, siç ka ndodhur për mese dy dekada.
Madje meqenëse KQZ si institucion në tërësi bashkë me kryetaren, do duhej të jenë tërësisht të pavarur, kredibël dhe të paanshëm, si dhe të kenë integritet të plotë ligjor, gjë që nuk ishte edhe me zonjën Daka, bazuar në nenin 84 të Kushtetutës së Kosovës, vendim i presidentes së vendit si person kompetent shtetëror për emërime dhe shkarkime, ishte plotësisht ligjor dhe legal, pikërisht për shkak të mungesë së pavarësisë së vet kryetares së KQZ-së, e cila në fakt është dashur që moti të shkarkohej nga kjo pozitë, pasi që KQZ ishte në vazhdimësi i ndikuar politikisht, nga ish partitë në pushtet dhe figurat e inkriminuara në opozitën aktuale, duke bërë që për gjithë këto vite, të mandatit, sa ajo mbante këtë postë me rëndësi, të ketë parregullsi dhe veprime të dyshimta e jo-ligjore, të cilat arsyetojnë tërësisht shkarkimin e saj, nga Presidentja e vendit.
Për aq më tepër shkarkimi i Valdete Dakës, duhet të shihet dhe kuptohet vetëm si një fillim i parë i dekriminalizimit të nevojshëm të institucioneve të vendit, të kapura tash e mbi dy dekada nga krimi i organizuar, një zotim top elektoral që ishte dhënë edhe në vet zgjedhjet e fundit parlamentare, si nga kandidati për kryeministër, ashtu edhe nga zonja Dr. Vjosa Osmani, kandidate për Presidente e cila edhe arriti me shumë sukses ta fitonte mbështetjen për pozitë që me plot meritë e mbanë, si kandidatja femër, më e votuar në vend.
Kështu që vendimi i presidentes, për shkarkimin e Valdete Dakës nga posti i kryetares së KQZ-së si figura më e lartë shtetërore me kompetencë ekzekutive, është plotësisht kushtetues e ligjor dhe përkundër zhurmës së opozitës, nuk mund të kontestohet as nga vet Gjykata Kushtetuese, për vet faktin se KQZ, sidomos viteve të fundit, ishte tepër i ndikuar politikisht gjë që ka cenuar edhe në integritetin e tij si institucion dhe marrjen e vendimeve të drejta e të pavarura, ndaj me gjithë insistimet e opozitës së inkriminuar e cila habit mbar opinionin duke bërë në mënyrë të sinkronizuar, kaq shumë zhurmë për asgjë, periudha kohore e përgatitjes për zgjedhjet lokale, duhet të shfrytëzohet për një reformim dhe ristrukturim të plotë e të shpejtë të KQZ-se, pasi që ka në dispozicion edhe plot 5- 6 muaj në pritje të mbetjes së zgjedhjeve, nga dita që ato do të shpallen nga ana e Presidentes.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".