Aty ku nuk ka drejtësi dhe barazi për të gjithë, nuk funksionon shteti!
Shkruan: Dr. Hysni Aliu
Po detyrohem të shkruaj, sepse padrejtësia është e keqe për secilin ashtu siç është drejtësia e mirë për secilin, si rrjedhojë dua të dal kundër padrejtësisë. Kosova, shteti më i ri në Evropë, një shtet demokratik dhe multi etnik, duhet të jetë shembull për rajonin dhe më gjerë se si duhet të respektohen të drejtat e individit dhe në këtë kuadër edhe të drejtat në pronë dhe jetesë në vendin e origjinës për secilin pa marrë parasysh përkatësisë etnike.
Mohimi i kësaj të drejte themelore është shërbimi më i keq që mund ti bëhet shtetit të Kosovës, në fakt është me vetëdije apo jo armiqësi. Dihet botërisht se Kosova ka kaluar kohëra të vështira gjatë viteve 90- ta dhe disa komuna janë goditur shumë më rëndë, duke përjetuar masakrat më të tmerrshme të mundshme, por kjo nuk i jep të drejtën askujt që të ja ndaloj tjetrit kthimin në vendlindje apo në pronën e vetë vetëm se dikush është Serb apo i takon ndonjë etnie tjetër.
Kundërshtimi që po i bëhet kthimit të një serbi në Gjakovë është plotësisht i papranueshëm edhe pse në aspektin emocional për ata që humben më të dashurit e tyre ndoshta i kuptueshëm. Ky kundërshtim me preku, andaj vendosa të shkruaj. Po shkruaj sepse e dua vendin tim, pa urrejtje dhe vend ku secili është i barabartë para ligjit.
Shteti nuk udhëhiqet nga emocionet andaj e përkrahu plotësisht vendimin e kryetarit të Gjakovës për të mundësuar kthimin e individit të nacionalitetit serb. Kurrë nuk e kam dëgjuar dikend nga familja Jashari të ketë dal kundër kthimit të serbëve në Kosovë, edhe pse pasojat e luftës nuk i ka përjetuar askush më rëndë se ata. Nënat e Gjakovës duhet të mësojnë nga krenaria e familjes Jashari, e cila shtetin dhe të drejtat e individit i vendos mbi të gjitha.
Nuk janë fajtore individët serb që shteti i Serbisë i ka mbuluar gjurmët e krimit dhe që edhe sot e kësaj dite janë më tepër se 1500 të zhdukur. Përgjegjësia duhet të kërkohet nga shteti Serb e jo individi. Nuk është e rëndësishme se a është i pafajshëm apo i dyshuar për krime një individ serb apo shqiptar, por është e rëndësishme që së pari secili të ketë të drejtë për kthim në pronën e vetë, dhe tek pastaj janë organet e rendit ato që merren me dosjen e secilit.
Në fakt, nëse ndonjë individ që ka bërë krime, kthehet në vendin e krimit, ajo do të thotë dorëzim para organeve të drejtësisë, sepse gjersa ata qëndrojnë për shembull në Serbi mundësia për ballafaqim me të kaluarën e tyre është zero. Ne si popull, kemi vuajtur shume për ti lejuar vetes me qenë nënshtrues ndaj pakicave, neve nuk na bënë nderë ajo sjellje.
Ne duhet të mësojmë njëherë e përgjithmonë, që askush nuk mundë ta nxjerr askënd nga shtëpia e tij me dhunë, ligji është dhe duhet të jetë i njëjtë për të gjithë pa marr parasysh se cilës përkatësi etnike i takon. Janë të turpshme dhe të liga deklaratat e atilla. Shteti duhet të ja tregoj vendin secilit që cenon vlerat demokratike.
Njerëzit nuk bënë të kategorizohen në të mirë e të keç vetëm se janë shqiptarë apo serb ose i takojnë ndonjë etnie tjetër , përkundrazi secili është i pafajshëm derisa të vërtetohet e kundërta. Ne duhet si popull të fillojmë të flasim hapur për përvojat tona, jo vetëm ato negative.
Nuk është e mundshme që secili serb që ka jetuar në Kosovë në vitin 1999 gjatë kohës së luftës të ketë bërë krime apo të jetë kriminel, thjesht nuk është e mundshme. Ne mundemi ta gënjejmë veten pore jo edhe botën. Neve si popull na ndihmon më tepër të qenurit të sinqertë dhe respektues sesa të udhëhiqemi nga emocionet apo egoizmi duke i gjeneralizuar gjërat dhe njollosur secilin që nuk është shqiptar.
Kthimi duhet të ndodhë në secilin vend të Kosovës, edhe në Gjakovë, edhe në Prishtinë edhe në Mitrovicën veriore e jugore, secili të kthehet aty ku ka jetuar më parë dhe ku e ka pronën.
Është po ashtu e rëndësishme që prokuroria të merret me secilin që dyshohet për krime ndaj njerëzimit, pa marrë parasysh se cilit nacionalitet i takojnë, serb, shqiptare apo nacionalitete tjera. Vetëm kështu Kosove si shtet multi etnik ka kuptim dhe vetëm kështu shteti ynë do të forcohet. Një shtet që nuk i mbron pakicat, ai shtet e humb të drejtën të menaxhoj me to.
Serbia u përzu nga Kosova pikërisht sepse ushtroj dhunë e gjenocid ndaj shqiptarëve si pakicë në Jugosllavi e Serbi, ne duhet të mësojmë diçka nga historia dhe përvoja jonë. Ne nuk guxojmë ti ngjajmë Serbisë e cila e mohon çdo të keqe te vetvetja ndërsa e gjen armikun dhe çdo të keqe tek ne, thjeshtë nuk është e besueshme. Mohimi i të vërtetës është një gënjeshtër për hava, të cilën secili e kupton.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".