Sikur që janë partitë e pa edukuara janë edhe deputetët!
Muhamet Kelmendi
Shkruan: ANALISTI-Muhamet Kelmendi
Kuvendi i Kosovës e ka një rregullore të punës. Sipas saj ka mundësi që Kuvendi të marr masa konkrete ndaj çdo deputeti që nuk merr pjesë në seanca dhe nuk ka arsye konkrete për mos pjesëmarrje. Por, pavarësisht kësaj, deputetët me mos pjesëmarrje po tregojnë se nuk janë në lartësinë e detyrës së deputetëve. Ata u votuan për të bartur dhe mbrojtur pikësynimet dhe nevojat e votueseve të vetë. Mos pjesëmarrja tregon papërgjegjësi të plote para votueseve.
Njëherit vjen në dyshim morali i deputetit, përkatësisht qëllimi që u votua nga votuesit. Mos pjesëmarrja është vetëm edhe një fakt i fortë i largimit të deputetëve nga detyrat pse u votuan dhe dolën në Kuvend. Duket se qëllimi i tyre është vetëm pozita dhe paraja si mjet. Asgjë tjetër. Ne kësi situate janë normat e punës. Së pari, për mos pjesëmarrje në tri seanca, ka mundësi zvogëlimi të të ardhurave personale në shumë të caktuar. Së dyti, për mospjesëmarrje duhet ndaluar pagesat për seanca që janë të parapara dhe së treti, duhet shikuar mbledhjet e komisioneve.
Pjesëmarrja në mbledhje të tilla ku ka pagesë për mbledhje dhe jo në seancë dërgon te konkludimi i injorimit të seancave me qëllim nga deputetët. Masa tjera nuk ka. Mbetet që partitë politike të jenë përgjegjëse për deputetët e vetë. Partitë duhet të kërkojnë pjesëmarrje në seanca. Dhe, nëse partia e bënë këtë, nuk ka dyshim se pjesëmarrja do të jetë në nivel. Duket se këtu vetë partitë janë përgjegjëse për mos pjesëmarrje. Ato po i dëshirojnë dështimet e seancave, pavarësisht humbjeve të mëdha që ka vendi. Vetëm marrëveshjet e fundit ndërkombëtare ishin me vlera të mëdha financiare për Republikën.
Kjo është e dëmshme dhe e pafalshme për partitë dhe për deputetët. Pa u vetëdijesuar partitë kurrë nuk do të kemi deputet të moralshëm dhe konstitucionalist. Partia nuk duhet të vej figura të ndryshme në kandidaturë të partisë për deputet. Kandidatët duhet të zgjidhen me përkujdesje dhe të jenë nga mesi i popullit dhe për popull. Në parti fillon e keqja dhe pastaj rrokulliset çështja në Kuvend.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".