Lexoni edhe:
Publikimi i fundit i përgjimeve të zyrtarëve të lartë të shtetit alarm për fillimin urgjent të spastrimit me procesin VETTING
Shkruan: ANALISTI - Hajrullah Tërnava
Në të ardhmen i propozohet Qeverisë që të ndërmerr të gjitha masat e luftimit të krimit të organizuar, dhe paraprakisht të bëhen reforma dhe ndërrime të kuadrove aty ku janë zhvilluar këto krime, duke filluar nga ata që lëshuan dorë për ta vjedhur fillimisht ushtrinë në ndërtim e sipër të shtetit të Kosovës, për të vazhduar tutje deri në kulmin e Qeverisë, dhe ndaj atyre personave të ngritën padi penale për veprat kriminale dhe njëherë t’iu konfiskohet pasuria e pajustifikueshme si produkt i krimit. Prandaj një veprim i tillë i ashpër, edhe të tjerëve do t’iu shërbej në preventivë që mos të bëjnë vepra kriminale si ata të mëparshmit, sepse edhe ata do të gjenden në vëzhgim për veprat e tyre.
-Të gjitha qeverisjet e pas luftës, e deri në Qeverinë Kurti 2, i kanë keqpërdorur qeverisjet e tyre deri në zhvatje të vendit dhe tërë aktivitetet që i bënin në periudhat parazgjedhore, si qëllim i vetëm ishte si të fitohen votat për të ardhur në pushtete me mashtrime e gënjeshtra, sepse kjo mënyrë ishte e vetmja shans për të mëdhenjtë e shtetit të kapur, se si të pasurohen në forma të ndryshme. Kjo ishte arsyeja pse edhe koalicionet në shumë raste bëheshin me ato parti që ishin lojale për të përfituar dhe për tu pasuruar në mënyrë enorme.
Kjo praktikë është vazhduar në të shumtën e rasteve edhe kur janë bere koalicionet me shumë parti mes veti, prandaj iu është lejuar për gjatë gjithë mandatit të kaluar të Qeverisjes së PAN-it, dhe koalicionit antikushtetues LDK-AAK- NISMA, që në mënyrë legale të vidhet dhe të abuzohet madje edhe atje ku dëmtohet seriozisht siguria e shtetit, të vidhet edhe ushqimi FSK-së nga stafi administrativ e civil në kuadër të Ministrisë së FSK-së.
Zyra Kombëtarë e Auditimit ka gjetur se dikush po e hanë ushqimin e ushtarëve të FSK-së pa të drejtë, me urdhër të shkruar e vendim të kundërligjshëm, pasi që është zbuluar se edhe administrata në Ministrinë e Mbrojtjes është ushqyer në kuzhinën e FSK-së edhe pse sipas ligjit, stafi civil nuk e ka këtë të drejtë, pasi që për këtë në pagën mujore llogaritet kompensimi shtesë për ushqimin, prandaj nuk e kanë asnjë të drejtë që ta ngarkojnë dhe abuzojnë ushqimin e dedikuar dhe të kontraktuar vetëm për ushtarët e FSK-së.
Se shkelja e ligjit në këtë rast është serioze, Auditori e shpjegon me faktin se Auditori Ministria e Mbrojtjes nuk ka dhënë asnjë arsye pse stafi civil i kësaj Ministrie e shfrytëzon të drejtën e ushqyerjes në kuzhinë të FSK-së dhe pse janë paguar këto shpenzime. Sipas Ligjit për Shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës përcaktohet se vetëm pjesëtari aktiv i FSK-së ka të drejtë për së paku një racion të ushqimit, gjatë secilit orar të plotë të punës (e përcaktuar si çdo periudhë e qëndrimit të vazhdueshëm në detyrë për më shumë se 6 orë në çdo 12 orë, kurse çmimi i një racioni është̈ përcaktuar në tri nivele, sipas periudhës kohore. 4.75 euro dreka, ndërsa racionet për mëngjes 1.26 euro dhe darka 2.78 euro.
Auditori ka gjetur se vlera e shpenzimeve për vitin 2020 nga kontrata e lidhur për Shërbimet e ushqimit (furnizim, përgatitja dhe servimi) nëpër të gjitha kuzhinat e FSK-së, ishte 2,218,317 euro, duke potencuar se shfrytëzimi i kuzhinës së FSK-së nga stafi civil po ndikon në rritjen e numrit të racioneve të ushqimit dhe kryerjen e pagesave të parregullta nga ministria, prandaj është kërkuar që Ministri të ndërmarrë masa të menjëhershme për të siguruar që shërbimet e kuzhinës (racioni i ushqimit) do të shfrytëzohen vetëm nga pjesëtarët aktiv të FSK-së ashtu siç̧ e parasheh Ligji e jo edhe nga stafi civil që shërben në ministrin e Mbrojtjes.
Për të qenë akoma më e madhe mundësia e abuzimit, Auditori ka zbuluar se Ministria e Mbrojtjes nuk ka hartuar ndonjë akt të veçantë nënligjor që ka të bëjë me monitorimin e stafit që ushqehen në kuzhina, kështu që ministria nuk ka ndonjë mekanizëm monitorues për të verifikuar numrin e personave që ushqehen nëpër kuzhinat e FSK-së, respektivisht nuk bënë ndonjë kontroll/verifikim nëse po ushqehen të gjithë personat sipas porosive që bëhen nga menaxheri i kontratës.
Në raport thuhet se operatori ekonomik faturimin e bënë sipas porosisë për numrin e personave të pranuar nga menaxheri i kontratës, dhe kjo ka ndodhur si rezultat i mosfunksionimit të duhur të kontrolleve të brendshme në ministri për menaxhimin dhe mbikëqyrjen e kuzhinave.
Sipas ZKA-së, mungesa e një monitorimi për të verifikuar numrin e personave që ushqehen nëpër kuzhina mund të ndikojë që ministria të bëjë pagesa përtej nevojave reale të stafit dhe kjo e rritë koston e krijon hapësirë abuzimi. Për ta evituar këtë̈ kanal të abuzimit, ZKA-ja ka kërkuar nga Ministria që të harton aktet të veçanta nënligjorë me të cilat rregullohet procedurat për monitorimin e kuzhinave në FSK në mënyrë që të evitohen keqpërdorimet e mundshme në procesin porosisë dhe marrjes së shërbimit.
Gjithsesi se edhe ky zbulim skandaloz i ZKA- flet për ekzistimin e mentalitetit të paskrupullt të zhvatjes dhe përfitimit të paligjshëm nga militantët e partive politike të instaluar kudo nëpër institucione të shtetit që nuk kursejnë asgjë kur e gjejnë shansin dhe mundësinë, dhe një teren të tillë ka kohë që e kanë zbatuar edhe më vjedhjen e ushqimit të ushtrisë së shtetit, sado që me këtë japin një imazh dhe mesazh tepër negative para qytetarit, duke e dëmtuar besimin dhe respektin që qytetarët e kanë në vazhdim karshi uniformës së ushtrisë së re të shtetit.
Kjo dukuri kriminale e argumentuar nëpër këto institucione shtetërore, është dëshmi se në çfarë niveli është zhvilluar krimi i organizuar që edhe në institucionet më të besueshme shtetërore kryhen këto vepra për përfitime të individëve dhe për pasurimin kriminal te tyre.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".