Dashuria për atdhe është besim dhe shpresë për ndryshim!
Florim Zeqa
Shkruan: Florim Zeqa
Mbajtja e premtimeve elektorale nga ana e pushtetarëve, përveqse obligim është edhe detyrim moral ndaj qytetarëve të ndershëm, të cilëve ua grabitën votën duke iu premtuar publikisht mirëqenje dhe sigurime shëndetësore, zhvillim ekonomik dhe punësim në sektorin publik dhe privat, liberalizim vizash dhe barazi qytetare, luftim të korrupsionit dhe krimit të organizuar, nepotizmit dhe të gjitha dukurive tjera negative në vendin tonë.
Çfarë po shohim për këta pesë muaj të qeverisjes “Kurti 2”!?
Po e shohim vazhdimësinë e qeverisjeve paraprake, po e shohim vazhdimin e dialogut me Serbinë pa kushtin e njohjes reciproke dhe pa reciprocitetin e premtuar, po i shohim investimet qindra milionëshe dhe ndërtimet e shtetit serb në veri të vendit pa asnjë pengesë nga ana e pushtetarëve të rinjë, me disa zëra vajtues dhe qyqarë të pushtetarëve paraprakë!
Po e shohim kapjen e tmerrshme të shtetit përmes nepotizmit me punësime familjare dhe partiake nëpër institucione, borde dhe agjencione, kompani publike dhe përfaqësi diplomatike.
Pushtetarët e rinjë po sillen me komoditet sikur t’i kenë mbajtur të gjitha premtimet elektorale, duke harruar se mosmbajtja e premtimeve elektorale dhe fjalës së dhënë qytetarëve, përveqse mosmirënjohje, është dhe tradhti, e cila pashmangshëm do t’u kthehet bumerang në zgjedhjet e radhës.
Pushtetarët e rinjë po sillen njëjtë sikurse pushtetarët e paraprakë, të cilët manipuluan dhe abuzuan me votën e qytetarëve. Madje me retorikë dhe gjuhë populliste ua kaluan të gjitha pushteteve të pasluftës, duke injoruar rezistencën paqësore dhe luftën çlirimtare, duke injoruar sakrificat sublime të familjeve shqiptare, gjakun e dëshmorëve dhe heronjëve të vërtetë të lirisë së atdheut!
Po ndodhë pikërsiht kështu për faktin se pushtetarët e rinjë po mendojnë dhe veprojnë sikur gjithçka ka filluar me ta!
Ky është pak më tepër se një (vetë) mashtrim!
Është një tendencë e hapur për të mohuar epokën e lavdishme të historisë mbi 30 vjeçare të Kosovës për çlirim, shtetformim dhe shtetndërtim, është tendencë për të mohuar rezistencën aktive paqësore të viteve të ’90-ta apo siq e parapëlqejë ta quaj ‘Viteve të Krenarisë Kombëtare’.
Është tendencë e hapur për të mohuar sakrificat e panumërta të popullit dhe luftën çlirimtare, për të mohuar shtetformimin dhe shtetndërtimin e deritanishëm të Kosovës.
Këto tendenca deformuese të pushtetarëve të rinjë me proklamimin e “Republikës së Tretë” shumë lehtë mund ta vënë në pikëpyetje ekzistencën e shtetit dhe kthimin në pikën zero (0) para vitit 1999!
Ndëshkim i merituar, besim i gabuar
Populli i Kosovës në zgjedhjet e fundit më 14 shkurt 2021, në mungesë të një alternative të re politike, me të drejtë i ndëshkojë partitë që keq-qeverisën për dy dekada në Kosovën e pasluftës, por njëkohësisht edhe gaboi rëndë që u besoj verbërisht figurave të dështuara dhe ricikluara politike që ndërruan flamujt partiak duke u shitur si reformator dhe “çlirimtar” të korrupsionit dhe krimit të organizuar, pjesë e të cilit ishin dhe janë edhe sot!
Tani po shihet qartë se mbështetja e sinqertë e popullit dhe intelektualëve të ndershëm dhe patriotë për ndryshime pozitive është duke u tradhtuar nga pushtetarët e rinjë.
Pushtetarët e rinjë në vend të mbajtjes së premtimeve ndaj qytetarëve, këtyre të fundit ua kanë kthyer shpinën! Rreth vetës kanë tubuar pseudo-intelektual, servil dhe lakmitarë pushteti.
Intelektualët e mirëfilltë dhe atdhetarë jo vetëm që nuk i ofrojnë, i konsiderojnë si kërcënim për pushtetin e tyre autokratik.
Paranoja nga forca intelektuale dhe dhe egoja për pushtet të pakufishëm e pushtetarëve aktualë tashmë ka prodhuar urrejtje me tipare të një sisetmi totalitar, e cila fare lehtë mund të kthehet hakmarrje primitive të forcave politike kundër njëra-tjetrës!
Këto vërejtje dhe sugjerime qëllim-mira janë vetëm një paralajmërim për pushtetarët e rinjë për përmirësime dhe korrigjime të gabimeve, ndryshe shumë shpejtë mund të harrohet 14 shkurti i vitit 2021.
Qytetarët tashmë e kanë kuptuar se Lëvizja Vetëvendosje nuk është më lëvizje dhe as parti poltike që reflekton shpresë për ndryshim, por është një organizatë e tejkaluar për kohën në të cilën jetojmë, me ide dhe koncepte të vjetëruara politike të shekullit XX-të.
I ftojë të gjithë qytetarët e vendit për mobilizim të përgjithshëm rreth forcës së re politike në ardhje, për t’i larguar një herë e mirë nga skena politike të gjithë kusarët dhe matrapazët politikë që manipuluan me votën tuaj.
Ndryshimet nuk bëhen me figura të njëjta politike dhe me emërtime të reja kozmetike, por me emra të rinjë dhe gjak të pastër kombëtar, të papërfshirë në skenën politike të para dhe pas luftës në Kosovë.
Për forcën e re politike në ardhje të gjitha partitë politike pa dallim pushtet dhe opozitë janë të njëjta dhe si të tilla do të jenë kafshatë e lehtë në zgjedhjet e ardhshme nacionale.
Dashuria për atdhe është besim dhe shpresë për ndryshim!
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".