Me Hashim Thaçin në Gjykatën Speciale, vdes marrëveshja tinëzare me Vuçiqin për ndarjen e Kosovës

Me Hashim Thaçin në Gjykatën Speciale, vdes marrëveshja tinëzare me Vuçiqin për ndarjen e Kosovës

Gani Qarri

  • 18 September 2021 - 08:59

Shkruan:ANALISTI- Gani Qarri

Vetëm pozicionimi i qartë i Qeverisë Kurti të koordinuar mirë dhe unifikuar ngushtë edhe me Presidenten e shtetit, zonjën Vjosa Osmani, ka varrosur përgjithmonë aventurat kuislinge të Hashim Thaçit, dhe shkatërruar projeksionet e tij renegate, për ndarjen e Kosovës, pozicionim i cili po mirëpritet me të madhe nga qytetarët e vendit, si dhe po bëhet gjithnjë e më i pranueshëm edhe për faktorin ndërkombëtar.

-Procesi i gjykimeve i cili tanimë duket se përfundimisht do të fillojë në Gjykatën Speciale në Hagë, pritet ta hap kutin e pandorës edhe në Kosovë dhe befasoj të gjithë shqiptarët mbi bëmat kriminale të atyre të cilët politika kriminale ende vazhdon përpjekjet që të na i shesë për heronj.

Njerëzit si Thaçi & Co, për shkak të tradhtisë kombëtare dhe pazareve të rrezikshme antishtetërore, pritet të fundosen përjetësisht në arkivat e harresës, të mbuluar me turp të pafund, të cilët për projektet e dakorduara me Aleksandër Vuçiqin për ndarjen e Kosovës dhe faljen e Veriut të vendit tonë Serbisë fashiste, do të urrehen gjatë dhe mallkohen për gjithmonë nga populli dhe shtetit të Kosovës. Kështu që tema e ndarjes së Kosovës dhe tkurrjes së kufijve të saj, ashtu siç shprehet edhe presidentja e vendit, jo vetëm që nuk do të pranohet të vendosen më asnjëherë në tavolinën e bisedimeve, ndërmjet të dy shteteve, por janë duke u bërë përpjekje serioze edhe në gjetjen e modalitetit për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse dhe njohje të ndërsjellë reciproke ndërmjet të dy vendeve.

Prandaj kuislingu i pështirë Hashim Thaçi & Co bashkë me aventurat e tij tradhtare, për ndarjen dhe ri-copëtimin e Kosovës, së shpejti do të përfundojnë në analet e harresës, duke mbetur prapa, vetëm kujtesa e hidhur e tradhtisë dhe pazareve të tij të rrezikshme antishtetërore e antikombëtare, të cilat po vdesin dhe varrosen përgjithmonë bashkë me periudhën e politikës së tij renegate, të dyshime dhe misterioze e mercenare.

Ndaj presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ritheksuar edhe njëherë gjatë vizitës që ajo zhvilloi me ftesë të presidentit gjerman, Frank-Valter Steinmeier në Gjermani, se në dialogun me Serbinë, nga Qeveria Kurti në asnjë mënyrë nuk do të bisedohet për ndarjen e Kosovës, integritetin territorial dhe pavarësinë e shtetit tonë, të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008, në Kuvendin e Kosovës, si dhe të vulosur më 22 korrik të vitit 2010 edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, si organi më i lartë Juridik i OKB-së. Për aq më tepër Presidentja e vendit sqaroi se, përveç faktit që kurrë nuk do të pranojmë të ndryshojmë kushtetutën dhe të luajmë me integritetin territorial të vendit, ne nuk do të bastardojmë as strukturën tonë shtetërore, për të krijuar shtresa qeverisëse të Serbisë në Kosovë si asociacioni një etnik serb, që synon të shndërrohet në ‘Republika Srpska’ njëjtë si në Bosnje, siç nuk do të negociojmë me Serbinë as për statusin e Kosovës i cili është zgjidhur një herë e përgjithmonë me Deklaratën e Pavarësisë më 17 shkurt 2008″.

Mënyra e të biseduarit në pozita të barabarta me Serbinë dhe paraqitja e fakteve dhe dokumenteve autentike nga delegacioni i Kosovës, mbi krimin e gjenocidin dhe bëmat gati dy shekullore kriminale të Serbisë hegjemoniste mbi shqiptarët, para faktorit evropian dhe ndërkombëtar në Bruksel, kanë bërë që së fundi edhe vet përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak të deklarojë publikisht, se mandati i tij në procesin që ai po e udhëheq duhet t’i sjellë Kosovës njohje të plotë ndërkombëtare. Njohje dhe pranim si shtet i pavarur e sovran, në kuadër të kufijve ekzistues në të cilët, Kosova e ka shpallur pavarësinë e shtetit të vet të lirë, të miratuar edhe nga GjND-ja në Hagë, si dhe të njohur nga mese 120 shtete anë e mbanë botës, anëtare me të drejta të plota të OKB-së.

Lajçak me plot të drejtë ka pohuar se mandati ndërmjetësues në procesin që ai personalisht bashkë me z. Borell po udhëheqin në selinë e BE-së, duhet t’i sjellë Kosovës njohje të plotë ndërkombëtare, konsolidim të plotfuqishëm shtetëror dhe kontroll në të gjithë territorin e saj, ti garantojë asaj përparim të duhur në rrugëtimin e rëndësishëm drejtë integrimit evropian, të krijojë vende të reja pune, e të zhvillojë ekonominë si dhe të avancojë në zgjidhjen e çështjeve juridike dhe sundimin e rendit dhe të ligjit në vend.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".